Arbëri

Baliqi s’pret reforma të shpejta në LDK, Krasniqi i quan zgjedhjet ekzistenciale

Profesori universitar Bekim Baliqi ka thënë se dorëheqje e Isa Mustafës nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe shkuarja në zgjedhje të reja për kryetar të partisë, pas humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit, është sinjal i mirë për këtë parti, por jo edhe reformë e thellë. Në anën tjetër, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, i ka cilësuar zgjedhjet e 14 marsit në LDK, si ekzistenciale për partinë.

Në Deskun e KOHËS, Baliqi ka thënë se nuk pret që në këtë parti të ketë reformë të thellë shpejt. Sipas tij, zgjedhjet janë “përpjekje për të parandaluar rënien e mëtutjeshme”.

“LDK-ja po mundohet t’i rikuperojë dëmet. Pa zgjedhje të përgjithshme është vështirë të reformohet. Veç zgjedhja e kryetarit s’do të thotë reformim, por është sinjal i mirë, apo edhe i domosdoshëm për t’u kthyer në një rrugë më të mbarë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, sipas Krasniqit, zgjedhjet në LDK do të ishte më mirë po të mbaheshin para zgjedhjeve të vitit 2019, kur Mustafa vazhdoi të mbetej kryetar i partisë me “synimin e ruajtjes së stabilitetit”.

Sipas tij, dëm tjetër nga Mustafa për LDK-në ka qenë mosgarimi i tij në zgjedhje.

“Është vonë e periudhë e shkurtër për të sanuar të gjitha dëmet, për t’i kthyer personat e larguar, por këto zgjedhje do të tregojnë një trajektore për vitet në vazhdim, nëse do të arrijë të reformohet si subjekt e të hapet për gjeneratat e reja e të investojë për ngritjen e kuadrove brenda subjektit politik që viteve të fundit s’është për t’u mburrur se çfarë ka arritur të bëjë. Zgjedhjet janë ekzistenciale për të. Nëse s’kapërcen në proces të vërtetë zgjedhor e improvizon me kandidatura të momentit të fundit, mund të reduktohet tutje sepse s’do të jetë atraktive për votues të rinj. Duhet të jetë tejet e kujdesshme”, ka shtuar ai.

LDK-ja në zgjedhjet e shkurtit doli e treta në renditje me më pak se 13 për qind të votave, duke ngelur larg prapa Vetëvendosjes që fitoi me mbi 50 për qind. PDK-ja doli e dyta me rreth 17 për qind të votave.