Arbëri

8 marsi, Dita Ndërkombëtares e Gruas, në Kosovë festohet dhe protestohet

Sot është 8 marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila për herë të parë u shënua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo datë është një lloj privilegji për gratë, të cilat marrin dhurata në shenjë mirënjohje nga fëmijët, bashkëshortët dhe rrethi ngushtë familjar.

Në Kosovë, në këtë ditë të shenjtë për gratë, festohet dhe protesohet në përpjekje për të kërkuar barazi, paqe dhe drejtësi.

Qendra për Informim, Kritikë e Aksion (QIKA), nga ora 10 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ka paralajmëruar aksion simbolik në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Po ashtu nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” kolektivi “Marshojmë s’festojmë”, i përbërë nga aktivistë të organizatave të shoqërisë civile e studentë, do të realizojnë marshin nëpër kryeqytet dhe do të përkrahet ky marsh edhe nga aktivistë nga 15 komuna tjera. Marshi me moton “marshojmë kundër partriarkit që vret” do të mbahet për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Dita e Gruas u vendos fillimisht në përkujtim të demonstratës së grave punëtore në New York. Por përfundimisht, 8 marsi u vendos si Dita Ndërkombëtare e Gruas, pas tragjedisë së 25 marsit 1911 në një fabrikë po në Nju Jork, ku zjarri i rënë në një fabrikë ku punonin vetëm gra shkaktoi 146 viktima, shumica e tyre emigrante.

Tragjedia shënoi ditën në të cilën gratë përveçse festojnë, edhe protestojnë për të kërkuar më shumë të drejta dhe barazi gjinore në të gjithë botën.