Arbëri

Koordinimi BE-SHBA, garanci se procesi i dialogut nuk do të rrëshqasë në diskutime të dëmshme

Descriptive Text

Konfirmimi se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara angazhohen së bashku për arritjen e një marrëveshjeje finale që nuk cenon integritetin territorial të Kosovës po shihet si garanci se nuk do të ketë zgjidhje të imponuara për Kosovën. Në përfundim të vizitës, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se ka dakordim që dialogu është i një rëndësie thelbësore për aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe se Brukseli pret vazhdimin e tij

Prishtinë, 3 mars - Rreziku që Kosovës t’i imponohet një zgjidhje e dëmshme në negociata me Serbinë po konsiderohet i tejkaluar pas rikthimit të partneritetit BE-SHBA në këtë proces. Ky bashkëpunim u konfirmua gjatë vizitës së emisarit të Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në një intervistë ekskluzive të përbashkët dhënë KOHËS, i dërguari i BE-së dhe zëvendës-ndihmësi i sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, konfirmuan se Brukseli dhe Washingtoni punojnë së bashku për arritjen e një marrëveshjeje finale. Për SHBA-në, marrëveshja nënkupton njohjen e ndërsjellë, ndërsa për BE-në hapjen e rrugës së anëtarësimit të Kosovës.

Njohësi i integrimeve evropiane, Demush Shasha, ka thënë se vizita e Lajçakut dhe mesazhet që ai dha bashkë me Mathew Palmerin janë konfirmim se BE-ja e SHBA-ja tani janë në aleancë të plotë dhe kanë një qëllim të përbashkët, “që është normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapja e shtegut për anëtarësim në BE të të dyja vendeve”.

“Po ashtu, Lajçaku ofroi garancitë që Kosova ka kërkuar, respektivisht që Kushtetuta e Kosovës dhe integriteti territorial janë vijat e kuqe që BE-ja i respekton dhe në këtë drejtim ngritja e Asociacionit assesi nuk do të bëhet në shkelje të Kushtetutës. Lajçak konfirmoi se nuk ka asnjë konflikt mes avancimit të dialogut dhe avancimit të agjendës për reforma të brendshme, si lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i vendeve të punës”, ka theksuar Shasha. Ai e sheh të rëndësishëm edhe synimin e shprehur që marrëveshja finale ka për qëllim zëvendësimin e rezolutës 1244 dhe hapjen e perspektivës së Kosovës për anëtarësim në OKB.

Jo më larg se në fillim të këtij viti, Lajçaku ishte shfaqur i ashpër me zyrtarët amerikanë, të cilët i kritikonte për moskoordinim në dialogun Kosovë-Serbi.

Madje, Lajçaku, gjatë një bashkëbisedimi me ambasadoren e Gjermanisë në SHBA, kishte deklaruar se nuk synon t’i çojë palët drejt një ujdie sikurse ajo e 4 shtatorit të vitit të kaluar, së cilës ia pati numëruar edhe defektet.

“Marrëveshja e 4 shtatorit nuk është marrëveshje, por deklaratë e zotimeve. Ato janë veç deklarata politike, por nuk ka mekanizma zbatues, nuk ka afate. Pra, gjithçka varet vetëm nga vullneti i palëve. Nuk mund të ketë tregti të lirë nëse ekzistojnë çështjet e hapura për kufijtë, dokumentet e identifikimit. Duhet modeli evropian për Ballkanin. Ne po negociojmë marrëveshje që do të jetë e qartë në të gjitha pikat e saj, do të vendoset edhe afati për zbatimin e tyre. E dimë se në të kaluarën ka pasur nga dy interpretime për të njëjtën çështje, por tani duhet të jemi të qartë dhe të mos lëmë hapësira të tilla”, kishte deklaruar Lajçaku më 12 janar.

Pas takimeve me pretendentët për krijimin e qeverisë së ardhshme, Lajçaku është shfaqur optimist se marrëveshja mund të arrihet brenda muajsh. Megjithatë, nuk ka treguar se a do ta propozojë BE-ja një zgjidhje nëse palët ngecin.

E, fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, kanë thënë se duhet qasje ndryshe në dialog, i cili duhet të çojë vetëm drejt njohjes reciproke.

Por, Demush Shasha nuk pret arritje të shpejtë të marrëveshjes.

u përket afateve të arritjes së marrëveshjes, nuk besoj se mund të arrihet në afat të shkurtë brenda një viti apo dy, por këto vite mund të shfrytëzohen për një përafrim diplomatik mes Kosovës dhe Serbisë, në përafrim sa i përket thelbit të marrëveshjes, ku pastaj mund të arrihet një pajtim politik, le të themi në vitin 2023, por jo më herët”, ka thënë ai.

Në përfundim të vizitës treditore, Lajçaku është larguar duke thënë se dialogu është i një rëndësie thelbësore.

“Para se të largohesha nga Prishtina sot, unë informova shtetet anëtare të BE-së për vizitën time. Ne ramë dakord që dialogu është i një rëndësie thelbësore për aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe BE pret vazhdimin e tij”, ka shkruar Lajçaku në “Twitter”.

Diplomatit sllovak i ka ofruar mbështetje edhe Britania e Madhe, nëpërmjet ambasadorit Nicholas Abott, sipas të cilit dialogu duhet të përgatitet mirë.

“Mbretëria e Bashkuar ndan pikëpamjen e tij dhe të Albin Kurtit se dialogu është i rëndësishëm dhe duhet të jetë i përgatitur mirë, parimor dhe i koordinuar midis BE-së dhe SHBA-së. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë arritjen e një marrëveshjeje që mbështet njerëzit e Kosovës dhe rajonit”, ka shkruar ai.

Edhe ambasadori i Italisë, Nicola Orlando, ka njoftuar për takimet konstruktive me Lajçakun, duke thënë se e mirëpresin rinisjen e dialogut sapo të krijohen institucionet.

“Shikojmë përpara drejt një rinisjeje të shpejtë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sapo të krijohen institucionet e reja”, ka shkruar Orlando.

Pas Kosovës, Lajçaku do të qëndrojë edhe në Serbi dhe Mal të Zi.