Arbëri

Lajçak: Ultimatumet nuk e ndihmojnë dialogun, Kosova e Serbia të vendosin për shpejtësinë e tij

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shprehet se procesit për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy shteteve i ka ardhur fundi, pas 10 vjet prej që kur ka nisur. Thotë se është qëllimi i BE-së për ta arritur këtë marrëveshje dhe në të janë të fokusuar.

BE-ja, thotë Lajçak, është e gatshme kurdo që të ndihmojë në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, gjithçka varet nga këto dy të fundit.

“Tani, kur bie fjala te afatet kohore, unë po them: Ne jemi gati. Unë jam i gatshëm shtatë ditë në javë. Kështu që janë të dyja palët, Kosova dhe Serbia, ato që vendosin për shpejtësinë. Ne duam ta inkurajojmë këtë proces që të ruajë këtë dinamikë. Kështu që, ne nuk po humbim kohë për shkak se nuk ka arsye për ta shtyrë dialogun, dhe unë thashë gjithashtu – meqë e di se për çfarë procesi bëhet fjalë – nuk na duhen vite”, tha ai në Desku tëKTV-së.

Sipas Lajçakut, arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet brenda muajsh nëse të dyja palët janë të gatshme, ndërsa përcaktimin e një afati kohor apo ultimatumi për to, ai e quan artificiale që nuk do ta ndihmonte procesin.

“Mund të kryhet brenda disa muajsh, nëse palët janë të përkushtuara dhe të gatshme për këtë. Andaj, ky është qëllimi im. Kështu që, janë palët ato që vendosin, Bashkimi Evropian pa dyshim se nuk është ai që po e ngadalëson procesin dhe njëherësh, përcaktimi i ultimatumeve do të ishte diçka artificiale dhe nuk mendoj se do ta ndihmonte procesin”, tha Lajçak.

Lajçak ka inkurajuar palën kosovare dhe atë serbe që të vazhdojnë përkushtimin.

Ndërkohë, zv.ndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, heziton të përcaktoj një afat kohor se kur mund të përfundojë procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, ai pret që shpejt ky proces të shkojë përpara.

“Unë hezitoj të përcaktoj ndonjë afat kohor specifik për dialogun. Por ne absolutisht ndajmë qëllimin e partnerëve tanë të Bashkimit Evropian për ta shtyrë procesin përpara, specifikisht për ta çuar përpara shpejt, për ta shtyrë para me vendosmëri”, tha ai në Desku.

Palmer tha se qëllimi i administratave amerikane ndër vite ka qenë që të arrihet marrëveshje me njohje reciproke mes dy shteteve fqinje, e këtë thotë se e mbështet edhe vetë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të donin të kishte marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ligjërisht të detyrueshme që hap rrugën e qartë për integrim evropian për të dyja, Serbinë dhe Kosovën. Ky ka qenë një qëllim i disa administratave amerikane, me marrëveshje me njohje reciproke, ne e mbështesim fuqishëm këtë”, u shpreh Palmer.

Palmer thotë se SHBA-ja do t’i inkurajojë të dyja shtetet që sa më shpejt t’i shtyjnë gjërat përpara, teksa shpreh mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për dialogun.

“E dini, Lajçaku po i prin këtij procesi, BE-ja po i prin këtij procesi. SHBA-ja e mbështet fuqishëm këtë proces. Ne do t’i inkurajojmë fuqishëm Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen seriozisht në të dhe t’i shtyjmë gjërat para sa më shpejt që është e mundshme”, tha Palmer.