Arbëri

Punëtorët e arsimit nuk do të vaksinohen në fazën e parë

Kërkesa e Sindikatës së Arsimit që Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja ta kenë prioritet vaksinimin kundër COVID-19 të punëtorëve të arsimit, nuk pritet të realizohet. Ministria e Shëndetësisë thotë se tashmë janë përcaktuar grupet me prioritet dhe se në fazën e parë nuk janë mësimdhënësit. Kjo ministri ka sqaruar se prioritetet për vaksinim i përcaktojnë institucionet shtetërore dhe ekspertët

Punëtorët e arsimit në Kosovë nuk pritet t’i marrin vaksinat kundër COVID-19 në fazën e parë të vaksinimit. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë një ditë pas kërkesës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

SBASHK-u përmes një letre publike ka kërkuar që institucionet ta kenë prioritet vaksinimin e punëtorëve të këtij sektori me arsyetimin se rritja e numrit të të prekurve me COVID-19, ditëve të fundit, do të ndikojë që të shtohen rastet edhe në shkolla.

Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se në planin shtetëror të vaksinimit janë përcaktuar grupet prioritare sipas fazave. Në fazën e parë është paraparë vaksinimi i grupeve me rrezik të lartë, si punëtorët shëndetësorë, banorët në shtëpitë e të moshuarve, grupmoshat mbi 80 vjeç dhe një pjesë e popullsisë mbi 50 vjeç. Sipas këtij plani, vaksinimi i mësimdhënësve pritet të ndodhë në fazën e dytë bashkë me disa kategori të tjera. Sipas MSH-së, në çdo vend të botës prioritetet për vaksinim i përcaktojnë institucionet

shtetërore dhe ekspertët e fushave të shëndetit publik, bazuar në indikacionet epidemiologjike dhe shëndetësore.

“Kosova nuk mund të bëjë përjashtim prej këtyre praktikave, pse dikush kërkon ndryshe”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nënkryetari i SBASHK-ut, Lutfi Mani, ka thënë se institucionet nuk duhet t’i lënë anash punëtorët e arsimit meqë, sipas tij, deri tash janë mbi 4 mijë mësimdhënës të infektuar me COVID-19.

“Ne s’kemi nevojë ta kushtëzojmë askënd. Dhënia e vaksinës te mësimdhënësit e përjashton mundësinë e infektimit. Kur infektohet një mësimdhënës në mënyrë automatike kalon në distancë, por për të mos u bërë më keq, kur dihet që mësimi është më efikas në shkollë, atëherë është më mirë me ndodhë vaksinimi... Nuk ka nevojë as Instituti e as askush tjetër ta marrë si kërcënim, jemi si të gjithë qytetarët e tjerë”, thotë Mani.

Kosova është në mesin e vendeve të pakta, që nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë dozë të vaksinës anti-COVID. Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, e ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, disa herë kanë premtuar se në muajin shkurt arrijnë dozat e para të vaksinës, por kjo ende nuk dihet se kur do të ndodhë.