Arbëri

Gradime dhe emërime të jashtëligjshme nga MPJ-ja edhe gjatë fushatës

Descriptive Text

Krahas aktiviteteve të fushatës për ta siguruar një mandat si deputete e Kuvendit, Meliza Haradinaj-Stublla, si ministre në detyrë, ka nxjerrë dekrete për emërime dhe ka shpërndarë grada diplomatike. Pa kaluar në Komisionin për Grada dhe Disiplinë dhe duke shkelur rotacionin, Ruzvelt Frrokaj është caktuar të shërbejë në Ambasadën e Kosovës në Podgoricë

Prishtinë, 25 shkurt - Ministrja në Detyrë e Punëve të Jashtme ka vazhduar emërimet dhe gradimet e jashtëligjshme pas rënies së Qeverisë dhe gjatë fushatës parazgjedhore.

Me dekret të Meliza Haradinaj-Stublla, Ruzvelt Frrokaj është caktuar të shërbejë në Ambasadën e Kosovës në Podgoricë. Vendimi të cilin e ka siguruar KOHA mban datën 10 shkurt, kurse realizimin e detyrave dhe obligimeve do ta fillojë në mars.

Krahas emërimit ai është avancuar në gradën diplomatike - ministër, pa rekomandim të Komisionit për Grada dhe Disiplinë.

Vendimmarrja ka ndodhur pa u mbushur as gjysmë viti prejse Frrokaj është kthyer nga Misioni diplomatik në Romë, ku kishte shërbyer si ministër këshilltar. E rregulloret e brendshme të MPJ-së kërkojnë që diplomatët të vihen në rotacion - një mandat në shërbim e një në ministri.

MPJ-ja por as Frrokaj nuk janë përgjigjur në lidhje me këtë çështje.

Derisa kanë vazhduar gradimet e përzgjedhura me dekret të ministres Haradinaj duke shmangur Komisionin, në dhjetorin e vitit të kaluar ajo e kishte anuluar thirrjen e brendshme për gradim të diplomatëve.

Pezullimi i dhënies së gradave ishte bërë me arsyen e rishikimit funksional në Shërbimin e Jashtëm. Por MPJ-ja nuk ka treguar nëse do të ketë edhe rishikim të shumë gradave, për të cilat KOHA ka raportuar se janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme.

Neni 28 i Ligjit për Shërbimin e Jashtëm thotë se gradat jepen nga komisioni përkatës, mbi bazën e të dhënave që ndodhen në dosjen personale të çdo punonjësi dhe në bazë të vlerësimeve të bëra.

“2. Përveç gradës ambasador, gradat jepen nga Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës, mbi bazën e të dhënave që ndodhen në dosjen personale të çdo punonjësi dhe në bazë të vlerësimeve të bëra, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”, thotë ligji.

Në dokumentet e brendshme të MPJ-së, të cilat i ka publikuar KOHA, piramida e gradave përshkruhet e panatyrshme, jokonsistente, dhe, mbi të gjitha, joparimore, e cila më së paku bazohet në meritokraci. Sipas një raporti të vitit 2019, bëhet fjalë për një piramidë të përmbysur që përbën rast eklatant krahasuar me shërbimet e tjera diplomatike në rajon dhe Evropë.

Në periudhën e përpilimit të dokumentit, MPJ-ja ka pasur mbi 52 grada diplomatike të ministrave këshilltarë, 22 grada diplomatike të këshilltarëve, mbi 37 sekretarë të parë (22 sekretarë të parë, plus 15 konsuj me gradë të barasvlershme me sekretar të parë), 21 grada sekretar i dytë, 1 diplomat me gradë sekretar i tretë, si dhe 5 grada të atasheve.

Për të adresuar këtë çështje, mes tjerash, është rekomanduar rishqyrtimi i të gjitha gradave përmes shpalljes së moratoriumit mbi gradimin për periudhën kohore prej dy vjetësh, si dhe shfuqizimin e të gjitha gradave.

Gradat e ulëta janë dhënë zakonisht me komision, kurse të lartat me vendime të ministres. Kryesisht kanë përfituar grada njerëzit e afërt me partitë në pushtet.

Pakënaqësi të shumta në Shërbimin e Jashtëm kanë shkaktuar privilegjet e disa diplomatëve që janë dhënë mbi baza familjare, klanore dhe partiake. Këtë shqetësim e ka ngritur edhe Shoqata Sindikale e Ministrisë në trajtimin që i ka bërë rotacionit të diplomatëve, nëpërmjet një dokumenti të cilin e kishte publikuar KOHA në dhjetor. Vetëm disa javë pasi ministrja Meliza Haradinaj-Stublla e vlerësoi si të suksesshëm rotacionin e diplomatëve, shoqata e pati demantuar atë duke shpërfaqur shkeljet që e kanë shoqëruar procesin.

Sipas tyre, procesi i rotacionit është shfrytëzuar për kthimin e diplomatëve që kanë shërbyer vetëm një mandat jashtë vendit. Ndërkohë që janë ridërguar në mandatin e tretë jashtë vendit, diplomatë të cilët në emër të rotacionit janë kthyer pas qëndrimit të tyre në shërbim për dy mandate pa ndërprerë në MPJD dhe kanë qëndruar afërsisht një vit më pak, në disa raste vetëm disa muaj. Sipas Shoqatës, në misione vazhdojnë të qëndrojnë diplomatë për 11 deri në 12 vjet pa ndërprerë dhe madje pa u kthyer asnjëherë.