Arbëri

KQZ-ja pritet që sot të vendosë për rinumërim edhe të 58 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që sot të vendosë për të çuar në rinumërim edhe 58 vendvotime të tjera.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për KOHËN se rekomandimi nga QNR-ja për rinumërimin e 58 vendvotimeve të tjera pritet të paraqitet në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

“Deri te ky rekomandim është ardhur pasi nga verifikimi i bazës së të dhënave dhe krahasimit të votave të subjekteve dhe kandidatëve, rezulton se janë 58 vendvotime tek të cilat nuk janë shënuar votat për kandidatët ndërsa subjektit ka të tilla në formularë të rezultateve”, tha Elezi.

Elezi tha se sipas të gjitha të gjasave, kjo do të zgjasë kohën për përfundimin e rinumërimit, porse po punohet maksimalisht që në fillim të javës KQZ-ja të mund të shpall rezultatet përfundimtare.

Nëse KQZ-ja sot vendos për të dërguar në rinumërim edhe 58 vendvotime, numri i përgjithshëm i vendvotimeve që do të rinumërohen do të shkojë në 564 sosh.

Rekomandimi për rinumërimin e parë përfshinte 12 vendvotime javën e kaluar, ndërkohë që në fillim të kësaj jave është vendosur për të quar në rinumërim edhe 494 vendvotime të tjera, ndërkohë që sot pritet të vendoset për rinumërim edhe të 58 vendvotimeve të reja.

Gjatë ditës së mërkurë, KQZ-ja ka bërë të ditur se janë rinumëruar deri tani rreth 33 për qind e vendvotimeve të dërguara në rinumërim, apo 161 nga 494 sa është numri i përgjithshëm.

Arsyet e rinumërimit kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike apo 35 vendvotime, bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve apo 6 vendvotime, kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik apo 370 vendvotime, dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas apo 83 vendvotime.

KQZ-ja do të mbajë mbledhjen e radhës sot në ora 13:00.