Arbëri

Ambasadori italian e quan të motivuar politikisht sulmin ndaj djalit të Rashiqit

Descriptive Text

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, e ka dënuar sulmin ndaj djalit të politikanit Nenad Rashiq.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se sulmi është i motivuar politikisht dhe si i tillë konsiderohet sulm ndaj demokracisë.

Orlando tutje ka shkruar se rasti duhet të dënohet nga institucionet përkatëse.

“I bashkohem dënimit të parezervuar të agresionit të motivuar politikisht kundër të birit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresiste, Nenad Rashiq, një sulm ndaj vetë demokracisë. Dhuna duhet të kundërshtohet vendosmërisht nga të gjithë dhe të dënohet nga institucionet përkatëse”, ka shkruar ai.

Djali i Rashiqit është rrahur dje, derisa sipas njoftimit të Prokurorisë, i njëjti ka pësuar lëndime të rënda trupore. Lidhur me rastin, Policia ka njoftuar se janë arrestuar shtatë persona.