Arbëri

Sejdiu: Kemi kërkuar nga IKSHPK-ja të bëhet një hulumtim lidhur me pasojat e COVID-19

Descriptive Text

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë se kanë kërkuar nga IKSHPK-ja të bëhet hulumtim lidhur me pasojat e COVID-19.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se që nga fillimi i pandemisë kanë humbur 18 kolegë, duke shtuar se të gjithë kanë qenë afër pacientëve pavarësisht moshës.

Sipas tij, askush nuk është marrë me stërngarkimin e punëtorëve shëndetësorë të cilët për muaj nuk kanë parë familjet e tyre.

“Ne kemi pasur kontakte me odat e mjekëve në Bashkimin Evropian të cilët kanë angazhuar psikologë të cilët janë ballafaquar me gjendjen me COVID-19. Jo pak raste kemi në BE kur mjekët kanë bërë vetëvrasje por shteti është marrë me ta. Te ne nuk është marrë askush. Ka pasur iniciativa nga profesionistë por asgjë më shumë. Unë e di që Shoqata e Psikologëve të Kosovës e ka dorëzuar në Ministri të Shëndetësisë një iniciativë të tillë por askush nuk është marrë me të”, ka thënë ai.

Sejdiu ka shtuar se në shtator i kanë bërë kërkesë me shkrim që të krijohet një grup institucional që merret me të tilla probleme, por se nuk kanë pasur asnjë përgjigje.

Ai thotë se nuk është dhënë asnjë arsye pse nuk ka pasur përgjigje për kërkesën e tyre.