Arbëri

Përpunuesit e drurit ankohet për kufizim të eksportit shkaku i vizave

Sheqer Ukaj ka dy muaj që po paguan qira për një objekt në Gjermani, të cilin nuk po mund ta shfrytëzojë. Plani për hapjen e një dege të kompanisë për përpunim të drurit atje i mbeti në gjysmë.

Bllokimi i vizave biznesore shkaku i pandemisë në ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian e ka bërë pothuajse të pamundur funksionimin e biznesit të ri atje.

“Ne kemi hapur degën tonë që nga janari i këtij viti në Gjermani dhe qiraja ka filluar që të implementohet, nga muaji shkurt kemi paguar qiranë, por nuk kemi qasje në ndërtesën, qiranë e së cilës po vazhdojmë të paguajmë. Ashtu nuk po kemi qasje as në dokumentacione, nuk po kemi mundësi të lëvizjes dhe organizimit në depon në Gjermani”, ka thënë Ukaj, i cili është pronar i kompanisë “Elnor”.

Pandemia, sipas tij, ka ndikuar që eksportet të bien për afro 45 për qind për shkak se produktet e tyre u dedikohen kryesisht restoranteve dhe se investitorët nuk kanë investuar shkaku i mbylljes.

“Pandemia ka pasur impakt në industrinë e drurit. Produktet tona i dedikohen më shumë tregut të restoranteve dhe kafiterive, karrige dhe tavolina dhe ato këtë vit nuk janë shitur fare, ose investitorët nuk kanë investuar shkaku i mbylljes që ka ndodhur në gjithë globin”, ka theksuar ai.

Moslejimi i qarkullimit të lirë iu ka shkaktuar probleme edhe kompanive të tjera eksportuese që merren me përpunimin e drurit.

Drejtoresha e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit, Arieta Vula-Pozhegu, ka thënë se kjo po ua pamundëson kompanive marrjen e kontratave në vendet e ndryshme të BE-së.

“Problemet e kompanive në këtë drejtim janë shumë të mëdha, sidomos të kompanive që eksportojnë. Arsyeja është se qarkullimi i ndaluar dhe pamundësia e vizës pamundësojnë marrjen e kontratave në vende të ndryshme të BE-së. Kjo, sidomos tek grupi i kompanive të cilat punojnë me kontrata”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, kompanitë që kanë kontrata kanë nevojë që përfaqësues të tyre të shkojnë atje dhe të marrin masat, dimensionet apo të shikojnë vendin para se të futen në prodhim këto produkte.

Problem tjetër, sipas saj, është se kompanitë që kanë degët e tyre në vendet e BE-së dhe kanë mungesë të qasjes fizike atje kanë një problem, i cili po e dëmton punën e kompanive apo po ua pamundëson për shkak të qarkullimit të ndaluar që tashmë kanë.

Industria e përpunimit të drurit, sipas saj, ka shënuar një rënie prej 25-45 për qind, vitin e kaluar, por që gjatë këtyre dy muajve ka pasur një rritje të fuqisë blerëse.

Këtë e ndërlidh me vizitat e mërgimtarëve gjatë këtyre muajve.

Shoqata ka shprehur shqetësim për kufizime të lëvizjes së bizneseve dhe u ka bërë thirrje institucioneve që t’i përkrahin prodhuesit për eksport.