Arbëri

Kërkohet rinumërimi i 494 vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke mbajtur mbledhje me anëtarët e saj. Kryeshefi i KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka bërë kërkesë që të bëhet rinumërimi i 494 vendvotimeve. Kjo thuhet se duhet të bëhet kryesisht për shkak të problemeve të auditimit.

KQZ-ja i ka ndarë në katër kategori vendvotimet të cilat kërkohen të rinumërohen, për arsye të mospërputhjeve të formularëve të rezultateve.

Në vijim janë kategoritë e ndara nga KQZ-ja:

1. Gabimi në bartjen e votës, pasi janë bartur votat gabimisht në subjektet politike dhe nuk kanë arritur ta kalojnë auditimin.
2. Gabimi në bartjen në formularët e rezultateve të kandidatëve, për shkak që numri i votave ishte i paqartë
3. Kandidati ka më shumë vota sesa subjekti politik
4. Kur subjekti ka vota, ndërsa kandidati nuk ka vota dhe anasjelltas.

Kryeshefi i KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka deklaruar se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve i ka përfunduar të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me procesimin e materialeve zgjedhor dhe tashmë është bërë regjistrimi i të gjithë votuesve me kusht në databazën e të dhënave.

“Aktivitet tjetër që është duke u zhvilluar është vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime. Sa i përket formularëve të zgjedhjeve dhe përputhjes së rezultateve, QNR-ja i ka procesuar të gjithë formularët që nuk kanë pasur probleme teknike përpos një numri të vendvotimeve konkretisht formularëve të rezultateve të kandidatëve të cilët nuk kanë mundur ta kalojnë auditimin për shkak të mospërputhjes së votave të subjekteve dhe kandidatëve”, ka thënë ai.


Refuzohen 9.049 zarfe me fletëvotime nga diaspora

Shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat janë pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës.

Deri më tani janë hapur 19 mijë e 168 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit. Pas vlerësimit, janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime.

Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit.

Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide.