Arbëri

Përplasje në UP mes Rektoratit dhe kryesuesit të Bordit

Descriptive Text

Një vendim i Inspektoratit të punës që Senati i Universitetit të Prishtinës ta trajtojë një lëndë të kryesuesit të Bordit të Universitetit të Prishtinës, Ujkan Bajra, e ka përplasur atë dhe Rektoratin.

Tre vjet më parë Bajra kishte aplikuar për profesor asistent në Fakultetin Ekonomik, mirëpo komisioni vlerësues nuk e kishte rekomanduar dhe ai i ishte drejtuar Inspektoratit të punës.

Inspektorati e ka obliguar Fakultetin ta trajtojë edhe njëherë rastin e tij. Mirëpo, Rektorati po konsideron se trajtimi i kësaj lënde derisa ai është pjesë e bordit të UP-së përbën konflikt interesi për çka ka paralajmëruar se nuk do ta procedojë lëndën në Senat. Këtë po e mbështet në nenin 18 të Statutit të UP-së dhe nenit 18 pika 2 të Ligjit për arsimin e lartë sipas të cilëve, anëtarët e emëruar nga Ministria e Arsimit nuk duhet të kenë lidhje të drejtpërdrejta aktuale me institucionin në të cilin emërohen.

“Duke pasur parasysh që z. Bajra kërkon që të trajtohet lënda e tij, duke qenë njëkohësisht kryesues i Këshillit Drejtues të cilit Rektori i raporton, natyrisht që rasti konsiderohet si presion për trajtim të lëndës së tij në kundërshtim me dispozitat ligjore. Ne kemi vënë në dijeni z. Bajra që për këtë rast ka dyshim të bazuar të konfliktit të interesit dhe kemi kërkuar nga ai që të reflektojë. Megjithatë, z. Bajra ka bërë vetëm një deklarim që pas trajtimit të këtij rasti ai do të japë dorëheqje”, thuhet në përgjigje.

Ndër të tjera, sipas Rektoratit, kësaj lënde i ka kaluar afati ligjor prej 175 ditëve dhe se pozita për të cilën kishte aplikuar Bajra duhet të rishpallet.

Nga ana tjetër, sipas Bajrës, moszbatimi i vendimeve të një organi më të lartë dhe mohimi i të drejtës së tij i hap rrugë për procedime të mëtejme në organet e drejtësisë. Në një përgjigje të gjatë për KOHËN, ka bërë të ditur se i është drejtuar Anti-korrupsionit për të kërkuar sqarime se si duhet të veprohet në këtë situatë dhe është në pritje të përgjigjes.

“Nëse konstatojnë se dorëheqja duhet të bëhet përpara se me u trajtua rasti, siç kam njoftuar do të veproj në përputhje me kërkesat ligjore. Megjithatë, një analogji të njëjtë e kemi edhe më herët dhe sipas vendimit që kishte lëshuar AKK në vitin 2015 ishte sqaruar mjaftueshëm që konkurset në universitetet publike iniciohen me kërkesën e njësive akademike dhe vendimi për shpallje merret nga Senati. Secili individ ka të drejtë të aplikojë dhe sipas vendimit të AKK-së këtë e kam paralajmëruar disa herë deri më tani, por sikurse i tërë ky presion po ndodh qëllimshëm”, thuhet në përgjigjen e tij.

Kundër Korrupsioni nuk ka sqaruar nëse zgjedhja e Bajrës në Fakultet përbën konflikt interesi derisa është pjesë e Bordit të UP-së, por vetëm ka konfirmuar shkurt se është duke e trajtuar këtë rast konform kompetencave ligjore që ka.