Arbëri

Thyhen matematikat, partitë fituese te boshnjakët akuzohen për bashkëpunim me Listën Serbe

Befasi e zgjedhjeve të 14 shkurtit ka qenë fitorja e iniciativës qytetare “UZ-AH” të Adriana Hoxhiqit, që i ka thyer matematikat e votave boshnjake. Subjekti i Hoxhiqit ka marrë vota edhe nga komunat ku ka serbë, por s’ka boshnjakë. Akuza për këtë parti dhe për Vakat ka drejtuar liderja e NDS-së, Emilija Rexhepi, të gjitha këto parti të komunitetit boshnjak.

“Ky është një ndikim i qartë nga një shtet tjetër i huaj në trupën votuese këtu te ne. Po e përsëris, në komunitetin boshnjak Adriana Hoxhiq nuk ka fituar në Prizren ose në Pejë, atje ku janë boshnjakët, por ka fituar në komunat serbe ku kanë votuar serbët. Si gjë e parë, ne kemi vendet e garantuara dhe nëse ju doni të përfaqësoni opsionin qytetar do të garonit si kandidat i pavarur, t’i fitonit votat dhe të hyni në Kuvend. Nëse kandidoni për vendet e garantuara të boshnjakëve në Kuvend atëherë është procedurë tjetër”, ka deklaruar ajo.

Rexhepi thotë se për këtë t’i drejtohet Kushtetueses.

“Lista Serbe ka pasur një plan nëpërmjet Listës së Adriana Hoxhiqit dhe natyrisht me ndihmën e Rasim Demirit nga koalicioni ‘Vakat’ – sepse ata kanë në komunat serbe aq numër votash sa t’i mundësojnë Listës Serbe të ketë në Kuvend më shumë se 15 deputetë. Këtë gjë po e bëjnë me shumë sukses. Kemi dy vende nga komuniteti rom në Graçanicë që Lista Serbe i ka mbështetur, pra kanë fituar vendet e tyre, tri vende me listën e Adriana Hoxhiqit dhe Vakat. Të shohim a do të bëhet bashkë me Listës Serbe apo jo, këtë do ta shohim”, ka shtuar Rexhepi.

Adriana Hoxhiq i ka mohuar këto akuza, duke thënë se vinë nga frika për humbje të pushtetit. Ajo ka dhënë edhe një sqarim se si ka fituar vota në disa komuna serbe pa bërë fushatë.
“Sipas meje do të ishte shkelje e Kushtetutës në qoftë se unë në listën time do të kisha pasur njerëz që nuk i takojnë komunitetit boshnjak. Unë kam qenë prezente dhe kam punuar shumë afër me komunitete kudo që kam punuar dhe për këtë arsye, për shkak të besimit që kam krijuar unë kam pasur edhe përkrahje”, ka thënë ajo.

Kryetari i ‘Vakat’, Rasim Demiri, i mohon akuzat për bashkëpunim me Listën Serbe dhe me partinë e Hoxhiqit, por thotë se ka gjasë që Serbia do të nxisë përçarje edhe më të thellë në mes të partive boshnjake.

“Nuk janë vota me të cilat kemi marrë një ulëse në kuvend. Nuk e di pse po duan të na dëmtojnë ne si ‘Vakat’. Edhe Emilija Rexhepi që ka humbur legjitimitetin në çdo fshat në Komunën e Prizrenit edhe në Prizren, edhe Duda Balje njëjtë që kanë humbur. Unë nuk e di pse po e bëjnë këtë zhurmë as ne nuk e dimë se prej ku kanë ardhur ato vota”, ka thënë ai.

KOHA ka tentuar të marrë deklaratë edhe nga Duda Balje e SDU-së, por ajo nuk ka qenë e qasshme gjatë të premtes.

Komuniteti boshnjak i ka tri vende të garantuara dhe ato pritet t’i zënë partitë UZ-AH, Vakat dhe NDS. E me votat që ka marrë deri më tani, Balje, e cila udhëheq SDU-në, nuk mund të jetë më deputete në Kuvend.