Arbëri

Berisha: Me votat e romëve fuqizohet Lista Serbe

Descriptive Text

Votat e serbëve për “Romani Iniciyativa”, sipas kreut të Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, këtë komunitet e ka sjell në pasiguri të përfaqësimit politik në Kosovë. Ai ka thënë se me votën e romëve ekziston rreziku i fuqizimit të Listës Serbe brenda Kuvendit.

Iniciativa Rome, e themeluar pak para zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka marrë shumë vota në hapësirat ku nuk ka romë fare. Partitë e komuniteteve që po rrezikojnë përfaqësimin tash, po akuzojnë se këtë parti se votat i ka marrë me ndihmën e Listës Serbe për të cilën thotë se do të jetë dirigjuese e Iniciativës Rome.

Berisha ka treguar me statistika komunat me shumicë serbe në të cilat në zgjedhjet e fundit ka pasur votim të komuniteteve, përkatësisht të Iniciativës Rome.

“Votat janë ku Lista Serbe është shumë e shtrirë dhe ku ndikimi i saj politik është jashtëzakonisht i madh dhe na mbetet të besojmë se ka qenë orkestrim i përbashkët që Lista t’i arrijë 10 deputetët e vet dhe për të marrë deputetë të komuniteteve të tjera. Ia kanë dalë që në komunat Leposaviq, Lipjan, Graçanicë, Kllokot, Mitrovicë të veriut, Novobërdë, Iniciativa Rome të ketë vota të mjaftueshme që do t’i përfaqësojë romët në zona ku nuk ka asnjë rom. P.sh. në Ranillug statistikat tregojnë se nuk ka asnjë rom dhe ka marrë 199 vota Iniciativa Rome”, ka deklaruar ai në Express Intervistë.

Sipas Berishës, komuniteti serb nuk e ka vullnetin dhe dëshirën që ta mbështesë një parti rome si në këtë rast, për çka thotë se këto vota ishin të orkestruara për interesa të Listës Serbe brenda Kuvendit të Kosovës.

“Në Graçanicë në zgjedhjet e kaluara kanë qenë 8,233 vota për Listën Serbe, në këto zgjedhje ka fituar 4,031 vota, pra gati përgjysmë. Statistikat tregojnë se janë marrë 1,620 vota për Iniciativën Rome, që është e shumëfishuar si votë dhe e orkestruar mirë. Edhe po të votonin 100 për qind të romëve atje, sërish ka vota më shumë trefish apo katërfish. 745 banorë të regjistruar ku janë banorë edhe nën 18-vjeç dhe në rezultatet e fundit me të drejtë vote dalin 1,620 vota”, tha ai.

“Në këto zgjedhje komuniteti rom përmes mbështetjes së fuqishme dhe votës së orkestruar ka arritur 6,551 vota që është votë nga votues që nuk i takojnë komunitetit rom”, shton tutje.

Dëmtimi i komunitetit egjiptian, thekson Berisha ka ndodhur për shkak të interesave politike të partisë serbe.

“Është dëmtuar komuniteti egjiptian, sigurisht se ka interes politik Lista Serbe, ka interes të ketë numër më të madh votash në grupin e tyre parlamentar, ka interes t’i shtyjë proceset politike në interes të tyre”, ka shtuar ai.

Berisha ka thënë se pritet që me bashkëpunimin që ka gjetur tek romët me subjektin e ri, Lista Serbe pritet që t’i ketë 15 deputetë, e në të ardhmen ai sheh mundësi që Lista të ketë edhe 20 deputetë përmes bashkëpunimeve të tilla.

“Pritet që Lista Serbe të ketë nën bashkëpunimin e tyre 15 deputetë dhe kjo jep të kuptojmë që në të ardhmen do gjejnë individë të tillë që do i mbështesin dhe Kosova rrezikohet në zgjedhjet e ardhshme të ketë edhe 20 deputetë. Kjo na shqetëson sepse këto vende janë kushtetuese dhe po rrezikohemi të përfaqësohemi nga dikush që nuk i takon atij komuniteti”, u shpreh Berisha në KTV.

Berisha u shpreh se para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore.