Arbëri

Vlerësimi i pakove nga diaspora: Aprovohen 8.212, refuzohen 3.435

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nga 43.500 pako të ardhura me postë, 11.653 i janë nënshtruar procesit të vlerësimit. Sipas KQZ-së, nga to, 8.212 fletëvotime janë aprovuar ndërsa 3.435 janë refuzuar.

“Shërbimi Votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit për 43.500 pako të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre që i kemi pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës. Ky proces i verifikimit do të na ndihmojë të marrim përgjigje se sa është numri i saktë nga jashtë vendit”, ka thënë Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se arsye të refuzimit të disa prej zarfeve janë të ndryshme, përfshirë ato që disa pako janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës.

“Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, gjatë periudhës së aplikimit. Disa prej tyre janë dorëzuar nga persona që refuzuar në periudhën e aplikimit”, ka thënë Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së ka deklaruar se Qendra e Numërimit të Rezultateve është duke punuar intenzivisht në përmbylljen e aktiviteteve të parapara.

“Disa nga aktivitetet që po zhvillohen janë procesimi i të dhënave të formularëve të rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike, skanimi i listës përfundimtare të votuesve dhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime, që kanë ardhur nga jashtë Kosovës”, ka deklaruar ai.

Elezi ka potencuar se nga 2.380 vendvotime, QNR-ja ka arritur të procesojë në siste dhëna nga formularët e subjekteve politike, për 2100 vendvotime apo 80% të tyre si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për 1.679 vendvotime, apo 70 për qind.

Për procesin e rinumërimit, ai ka thënë se do të zgjas deri në orën 14:00, ndërsa nuk ka përjashtuar mundësinë për rinumërime të tjera, në bazë të rekomandimit të QNR-së.

“Rinumërimi i tyre do të bëhet deri në orën 14:00, ndërsa sipas mundësisë për rinumërime të tjera, me rekomandim të QNR-së, ne nuk mund ta përjashtojmë sepse ka vendvotime që janë në procesin e auditimit”, ka thënë ai.