Arbëri

Partia fituese ende pa emrin e kryekuvendarit

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka zbuluar emrin e pretendentit për kryetar të kuvendit, krahas atij për kryeministër që është Albin Kurti dhe Vjosa Osmani si kandidate për presidente. Juristët thonë se procedura kushtetuese kërkon që së pari të konstituohet kuvendi, pastaj shefi i shtetit dhe në fund ekzekutivi. E, sipas një interpretimi të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, u. d. i presidentit nuk mund ta caktojë mandatarin e ri

Prishtinë, 17 shkurt - Ndërsa procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit, partia fituese ende nuk e ka zbuluar emrin e pretendentit për kryetar të kuvendit. Pas konstituimit të legjislaturës së re, kjo është pika e radhës që duhet konsumuar para se të procedohet me zgjedhjen e presidentit dhe kryetarit të qeverisë. Për presidente kandidate është Vjosa Osmani, kurse Albin Kurti për kryeministër.

“Koha” ka provuar të marrë një qëndrim nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Vjosa në lidhje me çështjen nëse kryeparlamentari do të jetë pjesë e negociatave potenciale me partitë e tjera, por ka munguar përgjigja.

Përparim Kryeziu nga Vetëvendosje ka thënë se tani prioritete janë numërimi i të gjitha votave dhe certifikimi sa më shpejt i rezultateve, në mënyrë që të procedohet me formimin e institucioneve.

“Tanimë që ka përfunduar numërimi i votave të rregullta, jemi në pritje të fillimit të numërimit edhe të votave me kusht si dhe atyre të diasporës, të cilat kësaj radhe janë më shumë në numër sesa në çdo proces tjetër zgjedhor. Vullneti i qytetarëve i shprehur në këto zgjedhje kurrë nuk ka qenë më i qartë”, ka thënë Kryeziu. “Është tejet e rëndësishme që të gjitha votat të numërohen me kujdes e të certifikohen pa humbur kohë, ashtu që të vazhdojmë sa më parë me formimin e institucioneve”.

Legjislaturën e kaluar, Vetëvendosje e kishte propozuar kryetarin e kuvendit pa marrëveshje me Lidhjen Demokratike. Konjufca ishte zgjedhur kryeparlametar me shumicë votash, por pozitën e liroi më pas për Vjosa Osmanin.

Pas numërimit të votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 56 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike 20, Lidhja Demokratike 15, e Aleanca 9 ulëse. 10 deputetë do t’i ketë Lista Serbe, e dhjetë të fundit komunitetet e tjera pakicë.

Formula me të cilën Kuvendi i Kosovës ndan ulëset është “Sainte-Lague”. Pasi që 20 ulëse, nga 120 sa janë gjithsej në Kuvend, janë të rezervuara për minoritetet, partitë shqiptare luftojnë për 100 ulëset e tjera. Ulëset që mbesin “të zbrazëta” si pasojë e përqindjes së votave që shkon për partitë që nuk kalojnë pragun prej pesë për qind, u ndahen partive parlamentare. Në përllogaritjen aktuale, përqindja e përbashkët e partive që s’kanë kaluar pragun është mbi 14 për qind. Kjo nënkupton që 14 ulëse do të ndahen për katër partitë që kanë kaluar pragun: VV-në, PDK-në, LDK-në e AAK-në.

Në proces numërimi janë edhe 43 mijë e 500 pako me fletëvotime të diasporës, të cilat mund ta ndryshojnë numrin e deputetëve.

Minimumi i kërkuar për zgjedhjen e qeverisë është 61 vota. Kurse presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, por me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim.

Vendi do të futej në krizë institucionale nëse partitë nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e ri deri në prill.

Në proceset e fundit zgjedhore më shumë ka marrë kohë certifikimi i rezultateve sesa përgatitja për organizimin dhe administrimin e tyre. Në zgjedhjet e vitit 2019 ishin nevojitur 50 ditë deri në certifikimin e tyre.

Hasani: U.d. i presidentit nuk mund ta caktojë mandatarin e ri

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur për procedurën që duhet ndjekur deri në konsitutimin e organeve kryesore të shtetit.

“Renditja e gjymtyrëve kryesorë të pushtetit që përfaqësohen prej organeve përkatëse të pushtetit në një kushtetutë moderne, flet shumë për karakterin e sistemit politik dhe kushtetues. Në Kosovë kjo renditje nis me organin ligjvënës dhe përfaqësues (Kuvendi i Kosovës), vazhdon me shefin e shtetit (Presidenti i Republikës), i cili pasohet nga ekzekutivi (Qeveria e Kosovës)”, ka thënë Hasani. Sipas tij, me përjashtim të Austrisë, kështu është në të gjitha kushtetutat e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, të cilat kanë sistem politik dhe kushtetues që njihet si demokraci kushtetuese parlamentare, ku parlamenti është zinxhiri legjitimues i organeve të tjera shtetërore.

“Për më tepër, në demokracitë kushtetuese me sistem parlamentar që kanë rregullim monarkik, ka raste që kushtetuta nuk normon rolin dhe pozitën kushtetuese të mbretit, por të parlamentit. I tillë është rasti me Suedinë. Kjo do të thotë, thënë ndryshe, se në demokracitë kushtetuese parlamentare çdo gjë nis me parlamentin, vazhdon me shefin e shtetit, për të kaluar më pas në ekzekutiv”, ka deklaruar Hasani.

Përveç mungesës së qeverisë dhe kuvendit, vendi do të mbetet shpejt edhe pa postin e presidentit, meqë ushtrueses së detyrës i skadon mandati në prill.

“Nuk ka asnjë dyshim që renditja e organeve në Kushtetutën e Kosovës e bën të qartë si loti se së pari konstituohet kuvendi, pastaj shefi i shtetit, përkatësisht presidenti i Republikës, dhe në fund ekzekutivi, pra qeveria. Ky është detyrim kushtetues që përcaktohet nga vetë renditja e organeve në Kushtetutë. E tillë është gjendja , siç u tha më sipër, në krejt demokracitë kushtetuese parlamentare të Evropës, me përjashtim të Austrisë. U. d. i presidentit mund të mandatojë një mandatar të ri vetëm atëherë kur përbërja e Kuvendit është e vjetër dhe asnjëherë ndryshe. Kjo për shkak se me një mandatim të tillë, në përbërjen e vjetër të kuvendit, në mënyrë simbolike respektohet dhe promovohet kontinuiteti kushtetues i organeve të pushtetit shtetëror”, ka theksuar Hasani. Profesori i së drejtës ndërkombëtare i është referuar edhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit u. d. i presidentit mund t’i kryejë punët rutinë, gjithnjë me qëllim të moscenimit të lirive dhe të drejtave të individit.

“Caktimi i mandatarit për formim të qeverisë në asnjë interpretim nuk është detyrë rutinë (e përditshme) kur vendi sapo ka dalë nga zgjedhjet. Zgjedhjet duhet t’i legjitimojnë organet e reja sipas renditjes së tyre kushtetuese dhe kohës kur postet kanë ngelur vakante”, ka thënë Hasani.

Sipas Kushtetutës, posti i detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj. Vjosa Osmani e ka marrë detyrën më 5 nëntor, ditën kur presidenti Thaçi dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Edhe pse Kushtetuta nuk përcakton kohën brenda së cilës duhet të shpallen kandidaturat, pas dorëheqjes së kreut të shtetit procedurat mund të nisin menjëherë. Ndërkaq, 60 ditë është afati brenda të cilit duhet të zgjidhet presidenti, në momentin kur fillojnë ato. Në dy raundet e para kërkohet që të zgjidhet me dy tretat, pra 80 vota, ndërsa në të tretin kërkohen 61 vota, me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim. Nëse në votimin e tretë asnjëri kandidat nuk zgjidhet president, sipas Kushtetutës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

KMLDNJ kërkon formimin e institucioneve pa vonesa dhe pa kundërshtime

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka kërkuar që të formohen institucionet e Kosovës pa vonesa dhe pa kundërshtime.

“Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, situata politike u qartësua shumë. Pozita e ardhshme ka siguruar pushtet absolut duke udhëhequr me ekzekutivin, me fuqi të madhe në Kuvendin e Kosovës dhe duke e marrë edhe postin e presidentit. Pozita e ardhshme ka deklaruar se nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti shqiptare, duke e marrë përgjegjësinë e plotë për të gjitha proceset dhe vendimmarrjen në Kosovë”, thuhet në komunikatën e KMLDNJ-së. Kur vota e pjesës më të madhe të votuesve ka vendosur për vendimmarrjen, KMDLNJ kërkon që opozita e ardhshme të tregohet konstruktive dhe bashkëpunuese e plotë në procesin e formimit të institucioneve.

“KMDLNJ mendon dhe shpreson se opozita e ardhshme duhet në mënyrë unanime ta votojë qeverinë Kurti 2, Albin Kurtin kryeministër, sikur edhe Vjosa Osmanin presidente. Gjithashtu, KMDLNJ kërkon që çështja Kurti të mos dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, sepse pa nevojë vonohen proceset e tjera, që duket se do të jenë përgjegjësi absolute e pozitës së ardhshme. Do të ishte shumë mirë, politikisht dhe moralisht, që qeveria e ardhshme të mos pengohet, jo në 100 ditë të ardhshme, por në 12 muaj të ardhshëm”, thuhet në komunikatë.

Sipas Rregullores së Kuvendit, Kryesia e Kuvendit do ta vazhdojë mandatin deri në konstituimin e legjislaturës së re.

“Gjatë fushatës zgjedhore, Kryesia e Kuvendit e vazhdon punën me qëllim që të ruhet vazhdimësia e punës së Kuvendit”, thuhet mes të tjerash në Rregullore. Po ashtu, Kryesia e përgatit edhe seancën konstituive të legjislaturës së re.