Arbëri

Buxhovi flet për rëndësinë e viteve 2001-2002 në politikën e Preshevës e Maqedonisë

Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se viti 2001 dhe 2002 janë shumë të rëndësishëm, pasi trajtohen temat e shpërthimit të luftës në Preshevë dhe kryengritjen në Maqedoni.

Sipas tij, në vitin 2000 ka qenë lufta që shpërtheu në Preshevë. Edhe atë kapitull, Buxhovi thotë se e ka përfshirë në libër pasi sipas tij, ajo lidhet me UÇK-në dhe rolin e saj.

“Ani pse UÇK është demilitarizu pas 90 ditësh prapë se prapë disa njësite të UÇK janë bartur në atë pjesë dhe kanë filluar një konflikt të armatosur i cili ka pasur kërkesë referendumin për autonomi politike dhe kulturore në atë pjesë dhe jo për luftë çlirimtare. Ajo ka qenë më shumë një testim i faktorit ndërkombëtarë që ta provojë Serbinë në çfarë gjendje është dhe si do të reagojë. Ka përfunduar ashtu siç ka përfunduar pa asnjë sukses politik,, aty ka qenë një tragjedi, një gjakderdhje por megjithatë ka treguar se është një problem i hapur”, ka thënë ai.

Ndërkaq në vitin 2001, Buxhovi thotë se ka të bëjë me Maqedoninë.

“Atje e kemi shpërthimin, bile disa njësi pasi u bë marrëveshja mes komandant Lleshit i cili vritet atë ditë, një pjesë e tyre bartet në pjesën e Maqedonisë. Kemi një kontinuitet. Sipas mendimit tim një pjesë e faktorit ndërkombëtare është i involvuar në këtë kryengritje. Infrastruktura e dy tri brigadave të para është komplet prej Dukagjinit dhe oficerët e TMK-së. Është pak e çuditshme sepse edhe kuadri udhëheqës kur del aty është prej zonës së tretë operativë të TMK-së. Unë e trajtoj këtë në kuptimin politik dhe ushtarak. Unë mendoj që është një prej kryengritjeve më të suksesshme të armatosura sepse vetëm për gjashtë javë ka arritur për mocionet ushtarake të UÇK ta shtrijë pushtetin ku kanë qenë komunat shqiptare”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se aspekti ushtarak ka qenë i suksesshëm por nuk është përcjellë me aspektin politik. Sipas tij, faktori ushtarak që ka qenë është transformuar në politik, duke theksuar se është parë që ai model i Kosovës që e kemi të njohur nga Rambujeja e tutje, dhe futjen e tyre në politikë ka qenë i pasuksesshëm dhe sot e tutje sipas Buxhovit po i vuajmë këto pasoja.

“Por aty ka qenë edhe më fatal sepse ai faktor ushtarak ka qenë i papërgatitur politikisht. Ata e kanë filluar luftën për bashkim kombëtar dhe ka qenë iluzionistë, ka qenë dështim i një projekti dhe në të gjitha aspektet ka qenë i gabueshëm. Por pas 4 javësh ata dalin thonë se po dalin për një Maqedoni federale e që ka qenë në rregull, por pas dy javësh Ali Ahmeti dhe shtabi tij thonë se po e kërkojnë një Maqedoni shumë etnike, qytetare dhe aty ka përfundu. Ata e transmetuan atë që e kishe përdorur Arbën Xhaferi në politikën e tij që ishte më shumë një eksperiment”, ka thënë ai.

Buxhovi thotë se këto i trajton në librin e dytë dhe është i vetmi libër që e trajton këtë. Ai deklaron se kjo politikë në Maqedoni i ka bllokuar trajtimet objektive të historianëve atje, siç ka ndodhur edhe në Kosovë që historianët janë bllokuar për trajtimet ndaj UCK dhe FARK-ut.

“Në Maqedoni lejohet të thuhet se UCK dhe Ali Ahmeti kanë qenë alfa dhe omega porse unë mendoj që nuk ka qemë e vërtetë”, ka thënë ai.