Arbëri

KQZ-ja nis verifikimin e votave nga diaspora, Prokuroria Speciale vazhdon t’i hetojë

Derisa Prokuroria Speciale po i heton votat e ardhura nga diaspora, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur verifikim e pakove me këto vota.

Arsyet e hetimit akoma nuk dihen, pasi Prokuroria nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS.

Procesi i vlerësimit të pakove, i nisur të mërkurën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pritet të marrë kohë disa ditë derisa të kuptohet numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit.

“Ky proces ka për qëllim të verifikojë nëse pakot në fjalë janë dërguar nga votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo nëse pakot e dërguara plotësojnë kriteret ligjore”, ka deklaruar Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

Po ashtu, nuk ka nisur akoma as numërimi i votave me kusht.

Në QNR është duke vazhduar futja në sistem e të dhënave nga formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve.

Mirëpo, janë identifikuar probleme në procesimin e 80 vendvotime.

“Nga 2 mijë e 382 vendvotime, një numër i vogël i tyre, vetëm rreth 80 sosh, nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për arsye të ndryshme: mospërputhje të nënshkrimeve, apo formularë të rezultateve të panënshkruara nga anëtarët e Këshillit të Vendvotimit”, ka shtuar Elezi.

Këto vendvotime, sipas Elezit, do të shikohen më detajisht dhe në bazë të gjetjeve do të përgatitet një raport me rekomandime për KQZ-në.