Arbëri

Flijimi për shtetin që nuk solli drejtësi

Descriptive Text

Mëngjesit të 5 marsit të 1998-s dritën ia mori terri i vdekjes.

Artileria serbe kishte nisur të zbrazej pa pushim në drejtim të një lagjeje të vogël, që kishte kalitur njerëz të mëdhenj.

Sulmoheshin Jasharët e Prekazit. Një fshat në Drenicë, i cili asokohe nuk bartte historinë e simbolikën që mori pas datave 5, 6 e 7 mars.

Konaku i komandantit legjendar, Adem Jashari, mëngjesin e 5 marsit vend u kishte bërë 55 Jasharëve e 4 mysafirëve të tjerë të fshatrave përreth.

Oda e kuvendimeve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës tashmë ishte bërë cak i shkatërrimit nga forcat serbe.

Plot tri ditë Jasharët luftuan pa reshtur për fëmijët, pleqtë e gratë, jo vetëm brenda shtëpisë.

“Sa i përket familjes Jashari, këta u barrikaduan këtu te shtëpitë e tyre, ku vetë Adem Jashari pozicionet i kishte në oborr jo brenda në shtëpi. Oborri ishte i rrethuar në mur dhe vendosi të luftonte afër murit të oborrit për arsye se lëvizjet ishin më të lehta. Hamza më shumë është barrikaduar te shtëpia mbrapa, Fitimi dhe Besimi u barrikaduan aty afër kajsisë me mitrolezë, Baca Shaban ishte te oda dhe luftimet vazhduan prej 5 deri më 7 mars, ku i fundit me armë në dorë bie Kushtrimi, djali i Adem Jasharit, pikërisht midis dy objekteve, midis odës edhe shtëpisë. Komandanti Adem Jashari ka rënë dëshmorë tek këto shkallët këtu”, ka thënë Ilaz Halimi, ciceron në Kompleksin Memorial të Prekazit.

Flijimi i Jasharëve qëllim e pati vetëm pavarësinë.

Plot 59 trupa mes tyre 55 anëtarë të familjes së Jasharëve pushojnë në këto varre. Për të 59-tit, 23 vjet pas luftës nuk pati kurrfarë drejtësie. 13 vjet pas pavarësisë për të cilën ata u flijuan, shteti i Kosovës nuk ka përparuar aspak në evidentimin, gjykimin apo dënimin e kryesve të kësaj masakre që ishte filli i luftës për pavarësi. Situatë e njëjtë sot e 23 vjet është edhe me të gjitha masakrat tjera që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Krime kundër njerëzve të pafajshëm, që kërkonin vetëm pavarësi e asgjë më shumë, Serbia kreu në të gjithë Kosovën, ku la më tepër se 13 mijë viktima.

“Ne i kemi regjistruar 13.535 njerëz të cilët janë vrarë apo janë zhdukur. Shumica dërrmuese për fat të keq kanë qenë civilë, pra mbi 10.800 të viktimave kanë qenë civilë pra një numër i konsiderueshëm kanë qenë edhe pjesëtarë të UCK-së, mirëpo ka pasur edhe pjesëtarë të forcave serbe që janë vrarë gjatë kësaj periudhe”, është shprehur Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

Në Mejë të Gjakovës, më 27 prill 1999, Ushtria serbe kreu masakrën më të madhe në Kosovë, ku la të vrarë 372 civilë. Vetëm një pjesë e këtyre kufomave janë gjetur, pjesa tjetër janë vënë nëpër kamionë, ku i kanë larguar nga Kosova drejt Serbisë për t’ua zhdukur gjurmët.

243 viktima, më 25 mars të 1999-s, u vranë nga Ushtria serbe në fshatin Krushë e Madhe, në afërsi të Rahovecit, ku trupat e 63 prej tyre ende nuk janë gjetur.

Jo shumë larg nga Prekazi e një ditë pas nga masakra e Krushës, rreth 150 persona u vranë edhe në Izbicë.

Serbët kryen krime edhe në Reçak, ku masakruan 44 civilë të fshatit, mes tyre gra pleq e fëmijë.

Masakra të mëdha Serbia kreu edhe në Burgun e Dubravës, në Kleçkë, Qyshk, Rezallë, Abri të Epërme e në shumë vende të tjera.

Por, për këto krime shteti serb vazhdon të mos japë përgjegjësi e Kosova vazhdon të ngecë në sjelljen e drejtësisë.

Shteti i Kosovës ndër vite ka dështuar përveçse në gjykimin ashtu edhe në evidentimin e dokumentimin e krimeve të luftës.

“Janë 59 varreza, fatkeqësisht disa trupa ende mungojnë që nuk kanë mundur të gjinden asnjëherë, shtatë dyshohet te shtëpia e Sadik Jasharit që janë djegur bashkë me shtëpinë por ende nuk është bërë një ekspertizë e saktë”, ka thënë Halimi.

Gjykimi i krimeve të luftës njëherë ishte kompetencë e UNMIK-ut e më pas e EULEX-it, por edhe atëherë kur Kosova e mori tërësisht përgjegjësinë, sërish nuk ia dha rëndësinë e duhur.

“Ne i monitorojmë gjykimet për krime lufte në Kosovë që zhvillohen prej vitit 1999 e deri tani. Ka pasur shumë procese gjyqësore, ka pasur shumë të akuzuar mirëpo me aktgjykim të plotfuqishëm deri më tani janë dënuar vetëm 41 njerëz në Kosovë. Normalisht edhe në Serbi është një Gjykatë Speciale për krime lufte dhe sipas të dhënave që ne i posedojmë 17 persona janë dënuar në Serbi për krimet që i kanë kryer në Kosovë dhe Tribunali i Hagës i ka dënuar 8 persona për krimet që janë kryer në Kosovë. Pra, nëse e marrim numrin total është diku rreth 65 njerëz që janë dënuar për më shumë se 20 vjet për krimet e kryera në Kosovë dhe e përmenda numri i viktimave është tepër i lartë. Pra, deri më tani shumica dërrmuese, mbi 99 për qind të viktimave nuk kanë parë drejtësi”, është shprehur Blakaj.

Sot, kur festohet përvjetori i 13-të i Pavarësisë, për të cilën u flijuan dëshmorët e martirët, shteti i Kosovës nuk ua lau borxhin.

Edhe kapacitetet institucionale që ka për t’i evidentuar, hetuar, gjykuar e dënuar këto krime vazhdon t’i mbajë të kufizuara.

“Numri prej 3, mendoj që tash janë 4, katër prokurorëve që merren vetëm me lëndët për krime lufte është shumë i vogël. Gjithashtu është dashtë të ngriten edhe kapacitete e njësiteve të policisë që merren me hetimin e krimeve të luftës e edhe të prokurorëve, të ketë një fuqizim të tyre, edhe në aspektin profesional por edhe të kenë një përkrahje më të madhe. Të kenë staf ndihmës të cilët do të ju ndihmonin në hetimin e krimeve të luftës”, ka thënë më tej Blakaj.

1999-a solli lirinë e 2008-a Pavarësinë, por sivjet, më 2021, shpirti i viktimave ende mbetet i trazuar e dhimbja e familjarëve të tyre edhe më e madhe në mungesë të vënies së drejtësisë.