Arbëri

20 pacientë me COVID-19 janë trajtuar me plazmë në Klinikën Infektive deri tash

Foto: Driton Paçarada / KOHA

249 persona kanë rezultuar pozitivë gjatë 24 orëve të fundit nga 2 e 868 mostrat e marra nga IKSHPK-ja.

Sipas këtyre të dhënave, gjatë kësaj kohe 3 persona kanë vdekur, 2 prej tyre në Prishtinë dhe një në Vushtrri, duke e çuar në 1.548 numrin e të vdekurve.

Ndërsa në Klinikën Infektive po trajtohen 88 pacientë nga Covid 19.

Sipas infektologut, Salih Ahmeti, 55 prej tyre janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi, ndërsa 2 të tjerë janë të intubuar.

“88 pacientë të shtrirë prej të cilëve dy janë të intubuar, 55 janë me oksigjeno terapi kemi pacientë janë në gjendje të rëndë presim të kenë përmirësime dy në gjendje kritike ventilim mekanik. Pacientët e tjerë janë në trajtim e sipër disa prej tyre me gjendje të përmirësuar”, ka thënë Ahmeti.

Ka më shumë se 10 ditë që Klinika Infektive ka nisur trajtimin e të infektuarve me plazmën konvaleshente.

Vetëm gjatë ditës së martë, tre pacientë të cilët po trajtoheshin me plazmë janë liruar si të shëruar nga kjo klinikë.

Ahmeti thotë se kanë parë efekte pozitive tek këto raste.

“Sot veç kam tre pacientë të cilët kanë marrë plazmën dhe janë liruar për në shtëpi, pasi janë shëruar. Deri më tash tek 20 raste e kemi dhënë plazmën duke respektuar kriteret shumë mirë të cekura. Sipas udhëzuesit e aplikojmë tek format e rëndë të sëmundje ose kur mjeku vlerëson se një pacient ka parametra që mund të zhvillojë një sëmundje të rëndë”, ka shtuar ai.

Si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve ditëve të fundit, numri i rasteve aktive ka shkuar në rreth 7 mijë.

Deri tash, në Kosovë janë regjistruar 64 mijë e 768 raste pozitive.

Për 24 orë janë shëruar 316 pacientë, duke e çuar totalin e të shëruarve në 56 mijë e 344.