Arbëri

Me vdekjen e Rugovës, nisi tatëpjeta e LDK-së

21 janari i 2006-s nuk shënon vetëm vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova. Nga kjo ditë, Lidhja Demokratike nis ta marrë tatëpjetën që kulmoi një ditë më parë, me rezultatin zgjedhor më të keq në historinë e saj 30-vjeçare.

Prej kur mbeti pa liderin e vet historik, brenda LDK-së nuk kanë reshtur pakënaqësitë e brendshme me mënyrën se si është udhëhequr. Ambienti i këtillë ka bërë që kurrë të mos mbërriheshin rezultatet që ishin në të gjallë të Rugovës.

Çarja më e madhe ka ndodhur në Kuvendin e gjashtë zgjedhor të LDK-së, kur u vendos pasardhësi i Rugovës. E mori epitetin e “Kuvendit të Karrigave”, meqë procesi degradoi në përleshje fizike.

Fatmir Sejdiu mundi për pak vota Nexhat Dacin dhe pasi në Kryesi nuk u përfshi krahu i Dacit, ky u nda dhe krijoi parti të re, e cila në zgjedhjet nacionale që pasuan, fitoi disa vende në Kuvend, e LDK-ja për herë të parë humbi primatin e partisë më të madhe në Kosovë.

Sejdiu mundi ta mbante këtë pozitë për vetëm një mandat. Në zgjedhjet partiake që pasuan, ai u mund nga Isa Mustafa, të cilin e kishte këshilltar deri atë kohë. Fitoi, kryesisht shkaku i diskursit të fortë anti-PDK.

Përgjatë këtij rrugëtimi, një krah i partisë krijoi “Listën Ibrahim Rugova”, së cilës i priu i biri i ish-presidentit Rugova, Uka..

Isa Mustafa e mbajti gjatë timonin e LDK-së, dhe u dorëhoq të hënën, pas rekordit të zi që partia shënoi në zgjedhjet e një dite më parë.

U dorëhoq, dhe kurrë nuk lejoi ta sfidonin në garën e brendshme zgjedhore.

Vjosa Osmanit, një zë kritik ndaj kryesisë, iu pamundësua të kandidonte për kryetare në Kuvendin që u mbajt në maj të 2015-s. E në Kuvendin e fundit njëjtë u veprua edhe ndaj Sejdiut.

Megjithëkëtë, një kompromis u provua. Krahas rizgjedhjes së Mustafës për kryetar, partia vendosi që Osmanin ta vërë në krye të listës së kandidatëve për deputetë. Për pak vota partia më e moçme në Kosovë nuk mbërriti ta rimerrte primatin.

Osmani u përjashtua nga forumet vendimmarrëse të partisë, pasi ajo nuk përkrahu ndërmarrjen e LDK-së për ta rrëzuar Qeverinë Kurti, pjesë e së cilës ishte, dhe për të bërë koalicion me parti të tjera.

Osmani me një ekip që kishin zhvilluar veprimtari në LDK, vendosi t’i bashkëngjitej partisë së Kurtit në këto zgjedhje, bashkë me të cilën mori gati 50-për qindëshin e votave.

E LDK-ja u radhit parti e tretë në nivel vendi. Mundi ta marrë vetëm një të tretën e përqindjes së siguruar në kohën sa Rugova e drejtonte.