Arbëri

“Haradinaj, dhe asnjë kosovar, kurrë nuk e kanë kërcënuar Serbinë”

Descriptive Text

Ndaj deklaratave të presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq - të bëra sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku ka thënë se Ramush Haradinaj po kërcënon me luftë në sy të botës – ka reaguar edhe avokati i këtij të fundit, Arianit Koci.

“Me dhunë verbale dhe me kërcënim direkt, Tomislav Nikoliq po akuzon se ‘z. Haradinaj po na kërcënon në sytë e botës’. Kjo nuk është e vërtetë.

z. Haradinaj, dhe asnjë kosovar, kurrë nuk e kanë kërcënuar Serbinë.

E kemi mbrojtur pragun e shtëpisë, dhe këtë do ta bëjmë gjithmonë.

Si popull trim, bujar dhe dinjitoz, gjithmonë i kemi kultivuar marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore”, ka thënë Koci.

Më parë për këtë kishte shkruar edhe vetë Haradinaj. Kishte thënë se Tomisllav Nikoliq po e kërcënon Kosovën me luftë, e jo Ramush Haradinaj Serbinë.

“Nikoliq paska kërkuar në Këshillin e Sigurimit që Bota të marrë qëndrim ndaj meje, sepse unë e paskam kërcënuar Serbinë me luftë! Tomisllav Nikoliqi, ka qenë ai që para pak kohe, ka deklaruar se është i gatshëm që bashkë me djemtë e tij, të shkojë në Kosovë për të luftuar! A mos paska kujtuar ky Zotnija se ne do ta presim me lule?!”, ka thënë Haradinaj ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Dukagjinit e ish-kryeministri i Kosovës.

“E kam thënë dhe gjithmonë do ta përsëris, se kushdo që i fut duart në Kosovë, do ta marrë të njëjtën përgjigje si Millosheviqi në vitin 1998-1999! Ata le të rrinë në vendin e tyre e ta lënë Kosovën rahat e të mos i binë në qafë as asaj e as mua! Unë e kam mbrojtur vendin tim dhe gjithmonë do ta mbroj dhe këtë mund ta marrin ‘kërcënim me luftë’ vetëm ata që janë të sëmurë si ky farë Nikoliqi”, ka shtuar më tej Haradinaj.

Në fund, Haradinaj ka thënë se Nikoliq, “së pari duhet të tregojë se ku janë varrezat masive me shqiptarë në Serbi, që ende i mban sekret e tu kërkojnë falje shqiptarëve për krimet e Serbisë në Kosovë, e jo të merret me retorikë boshe”.