Arbëri

Liderët e Preshevës u kërkojnë ndërkombëtarëve të reagojnë ndaj gjuhës së urrejtjes në Serbi

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, përmes një letre drejtuar zyrtarëve të Bashkimit Evropian, Organzatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar reagimin e tyre ndaj pushtetit në Serbi dhe institucionalizimit e legalizimit të gjuhës së urrejtjes dhe raciste ndaj shqiptarëve.

Në një njoftim në Facebook, Kamberi ka thënë se në letrën drejtuar zyrtarëve të lartë të këtyre shteteve kanë shkruar për vendimin e Gjykatës së Lartë në Beograd, me të cilin ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, u lirua nga akuza e gjuhës së urrejtjes, intolerancës dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve, edhe pse kishte përdorur termin fyes “šiptari”.

Liderët shqiptarë e kanë quajtur këtë vendim precedent të rrezikshëm për minoritetet në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor. Kamberi ka thënë se një institucionalizim i një gjuhe të tillë nuk i kontribuon dialogut mes dy shteteve.

“Njoftuam përfaqësuesit ndërkombëtarë se ky vendim i Gjykatës së Lartë i cili nuk e dënon përdorimin e termit joligjor dhe shovinist ‘šiptar’ është po ashtu tregues që gjyqësori në Serbi është nën ndikimin e drejtpërdrejtë të zyrtarëve qeveritarëve, duke mos zbatuar as Ligjin mbi Ndalimin e Diskriminimit Racor dhe Fetar, që sanksionon ‘nxitjen e pabarazisë, urrejtjes dhe intolerancës bazuar në përkatësi racore, kombëtare, fetare, seksuale ose tjetër’. Në shkresën tonë, shprehëm bindjen tonë se nuk besojmë se Bashkimi Evropian do ta tolerojë një Ministër të Punëve të Brendshëm të një shteti që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të përdorë publikisht dhe zyrtarisht, terminologji fyese dhe raciste ndaj pjesëtarëve të pakicave kombëtare. Në fund, theksuam vlerësimin tonë, se duke e zyrtarizuar dhe institucionalizuar gjuhën e urrejtjes kundër shqiptarëve dhe minoriteteve, përfaqësuesit më të lartë shtetërorë të Republikës së Serbisë, nuk kontribuojnë pozitivisht në procesin e pajtimit, paqes dhe bashkëjetesës në Ballkanin Perëndimor, e aq më pak në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili po lehtësohet nga Bashkimi Evropian”, ka njoftuar Kamberi.

Letra u është dërguar presidentes së Bashkimit Evropian, Ursula Von Der Leyen, përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, të dërguari special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, raportuesit të Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir Bilcik, Komisarit të lartë për të drejtat e njeriut dhe pakicave të OSBE-së në Hagë, Kairat Abdrakhamanov, shefit të OSBE-së në Serbi, Jan Braathu dhe ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Anthony Godfrey.