Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Limaj fton Prizrenin të rreshtohet krah çlirimtarëve

Me daulle, valle e fishekzjarrë, Prizreni ka pritur kandidatin për kryeministër nga Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për ta përmbyllur fushatën e tij elektorale në këtë qytet. Me atmosferën që nuk e ka pasur asnjë ditë më parë, Limaj ka ftuar prizrenasit ta votojnë numrin 121 dhe kandidatin për deputet të kësaj ane, Zafir Berisha. Kreu i Nismës ka bërë thirrje për rreshtim si në vitet ‘98-‘99, që sot në Parlament të mbizotërojë fryma çlirimtare

Prizren, 12 shkurt - Festë është organizuar në Prizren të premten, për ta pritur kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili fushatën elektorale e ka përmbyllur në këtë qytet.

Limaj i ka ftuar simpatizantët e kësaj ane të rreshtohen krah çlirimtarëve.

"Ju ftojmë, hajde të rreshtohemi si në vitin ‘98-‘99. Ashtu siç po rreshtohen bashkëluftëtarët tanë nga çdo anë tjetër e Kosovës. Luftëtarët janë ngritur në këmbë që zëri i çlirimtarëve të dëgjohet fort në Parlamentin e Kosovës”, ka kërkuar ai.

Edhe gjatë këtij tubimi ai nuk ka lënë anash akuzat dhe ironizimin për partitë e tjera politike.

"E pashë Vjosen e Albinin si me qenë në syneti. Po shkojnë nëpër lagje e rrugë, si tradita e synetisë. Shteti s’o syneti, shteti është diçka më shumë", ka shtuar ai.

Limaj, gjatë këtij fjalimi ka pasur edhe një porosi për bashkëluftëtarët e tij, që po e përkrahin PDK-në.

“S’ka gjë më keq se me ta qitë në krye një person që s’e doni. Prandaj shokë të luftës ju e keni njeriun që ua don zemra, është numri 121. Prandaj votone më 14 shkurt", ka thënë ai.

Ndërsa kandidati për deputet i kësaj ane, Zafir Berisha, pasi ua ka kërkuar votën bashkëvendësve të tij, fjalimin e ka vazhduar me kritika në adresë të rivalëve politikë.

"Problem kryesor tash e 20 vite është dialogu me Serbinë. Këtë mund ta bëjnë vetëm çlirimtarët, por jo edhe shokët e Titos me shamia të kuqe, apo ata që e mohojnë gjenocidin serb në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Berisha e ka sqaruar edhe përse Nisma ka zgjedhur kauzën për mbrojtjen e vlerave njerëzore dhe kombëtare, duke shtuar se Fatmir Limaj i përballon më së miri sfidat.

“Kauza jonë me çlirimtarët nuk është e rastësishme, është kauzë e kohës, që i duhet Kosovës. Ato sfida më së miri i përballon njeriu që ka përballuar edhe sfidat më të mëdha, e ai është Fatmir Limaj”, ka shtuar ai.

Edhe në përfundim të fushatës nuk mungoi vallja, ndërkohë që disa simpatizantë janë përkujdesur që të mos bie ritmi, duke hedhur para daullexhinjve të holla.