Arbëri

Kronika Zgjedhore / AAK-ja e mbyll fushatën me premtimin për referendum rreth bashkimit me Shqipërinë

Siç ka deklaruar edhe më herët, bartësi i listës së AAK-së, Ramush Haradinaj, në mbylljen e dhjetëditëshit të fushatës ka paralajmëruar sërish se nëse anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nuk ndodh, atëherë, me partinë e tij në pushtet, opsion mbetet referendumi për bashkimin me Shqipërinë

Prishtinë, 12 shkurt - Duke ndryshuar deklaratat e ditëve të kaluara, bartësi i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka përmendur vitin 2025, dhe jo 2024, si afat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Nëse kjo nuk ndodh, ai ka paralajmëruar edhe një herë referendumin për bashkimin me Shqipërinë. Në tubimin përmbyllës të fushatës, në Prishtinë, duke i quajtur referendum zgjedhjet e 14 shkurtit, Haradinaj ka kërkuar votat për të hipur në Presidencë, duke thënë se Kosova do t’i përfundojë çështjet e hapura me Serbinë pa e pyetur atë.

“Këtë të diel vendosim se a do të presim edhe 20 vite, apo do të përfundojmë punë sa i përket statusit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit tonë në integrime euroatlantike. Si do të kryejmë, po ju tregoj. Arsyeja pse jemi të bllokuar është Serbia, Vuçiqi. Janë pengesat që na i bëjnë Serbia e Vuçiqi. Nëse votohet Aleanca, atëherë votohem edhe unë për president të vendit, president i cili do t’i kryejë punët e Kosovës duke mos e përfillur Serbinë”, ka thënë ai.

Ai njëkohësisht ka premtuar forcim të Kosovës, me të si president.

“I sigurojmë Kosovës një president të aftë për ta siguruar unitetin, për ta siguruar një bashkëpunim të brendshëm, e po ashtu që është në gjendje ta mbrojë vendin në etapat e ndjeshme që i kemi para vetes. Kur shkojmë të votojmë kësaj here, ju siguroj që së bashku do ta bëjmë Kosovën të fortë, do t’ia japim forcën Kosovës ashtu siç na keni premtu gjithmonë gjatë këtyre ditëve”, ka shtuar ai.

E numri dy në listën e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, u ka thënë të pranishmëve se Kosova është në kohë vendimtare për ta përmbyllur shtetësinë ndërkombëtarisht. Partitë e tjera, pa përmendur emra, ai i ka akuzuar si të padëshmuara e populiste.

“Të padëshmuarit, fjalamanët, populistët, nuk janë zgjedhje e vendit. Nuk i duhen Kosovës. Kosovës nuk i duhen eksperimentet. Kosovës i duhen njerëzit me eksperiencë, të dëshmuar, në të gjitha segmentet e menaxhimit të vendit”, është shprehur Dreshaj.
Më konkret me emra ka qenë kandidati i kësaj partie, Dardan Islami, duke adresuar kritika ndaj kandidates për presidente të Vetëvendosjes, Vjosa Osmani.

“Vjosa Osmani fatkeqësisht nuk e ka përvojën as fuqinë për t’u ballafaquar me tema. Sjelljet e saj prej axhamie politike me tregimin për çkapjen e shtetit, për ta kapur pastaj vetë krejt. Nuk janë isharete të mira. Është rrezik për sistemin tonë demokratik”, ka deklaruar Islami.
Në Facebook, Haradinaj, pas tubimit të së premtes, ka shkruar se AAK-ja e do Kosovën “e mbrojtur, e sigurt, e zhvilluar, e pacenuar, e integruar në familjen e shteteve demokratike”.

Në tubimin në kryeqytet ka pasur shkelje masash. Distancë prej një metri ka pasur vetëm te kandidatët për deputetë.