Arbëri

MSH-ja tender gati 1 milion eurosh për teste kompanisë që merret edhe me kanalizime

Njëmbëdhjetë muaj prej kur është paraqitur rasti i parë me COVID 19, Ministria e Shëndetësisë ende po kontrakton tenderë emergjentë pa procedura të hapura.

Në emër të Emergjencës këto ditë ka përfunduar procedura e tenderimit për teste rapide.

Vlera e këtij tenderi është 800 mijë euro.

Tenderi është fituar nga konsorciumi “Neramed” dhe “Bora Dental”.

Ani pse në faqen e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve e ka të përmendur që merret me aktivitet farmaceutik, kompania bartëse “Neramed” nuk është e licencuar në Agjencinë Kosovare për Produkte Mjekësore (AKPPM). Përveç aktivitetit farmaceutik ajo është deklaruar së merret edhe me hapjen e kanalizimeve, veterinari e automjete.

E kompania tjetër, “Bora Dental” posedon licencë nga ky institucion.

KOHA ka provuar ta kontaktojë pronarin e kompanisë “Neramed”, Nexhmi Ademi, por ai nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.

Me të njëjtin emër, një person i quajtur Nexhmi Ademi është pjesë e LDK-së. Ai ka qenë kandidat i LDK-së për Kuvendin Komunal në Komunën e Graçanicës.

Në vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, përveç kësaj kompanie figuron edhe një kompani tjetër që ka ofertuar për këtë tender.

Kompania “Genius Kosova”, sipas dokumenteve të ministrisë, ka ofertuar me çmim më të shtrenjtë së fituesja e tenderëve.

Por këto dy kompani, në bazë të dokumenteve që ka siguruar KOHA, janë kompani të afërta me njëra-tjetrën. Në marsin e vitit 2020 konsorciumi mes këtyre dy kompanive ka fituar tender për furnizim me pajisje dhe mjete mbrojtëse nga Covid-19 në Komunën e Podujevës, që atëkohë është udhëhequr nga LDK-ja.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se çmimi i ofruar nga ky konsorcium ishte me i lirë së çmimet në treg, ndërsa përgjegjësinë se pse ky tender është proceduar me emergjencë e jo me kontratë të rregullt ia kanë lënë Asociacionit të Komunave.

“Duke marrë parasysh urgjencën dhe rëndësinë e furnizimit sa më të shpejtë dhe të sigurt me teste rapide të domosdoshme, bazuar në kërkesën e Kolegjiumit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për furnizim të institucioneve të KPSh-së me teste rapide, konform nenit 35.2.1(iii) të LPP-së është zhvilluar procedura emergjente e prokurimit – Procedura e Negociuar pa Publikim të Njoftimit për Kontratë për furnizim sa më të shpejtë me 100,000 teste rapide për KPSh, për parandalimin e përhapjes se infeksionit me Covid-19. Përveç kërkesës nga kryesues i Kolegjiumit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, testet rapide për detektimin e antigjeneve të SARS COV-2 janë të parapara edhe në planin e testimeve kundër COVID -19 të miratuar nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Por kryesuesi i Kolegjiumit për Shëndetësi në Asociacionin e Komunave, Bujar Gashi, ka mohuar së ata kanë kërkuar që ky tender të ishte emergjent dhe pa procedurë të hapur.

“Ne as nuk propozojmë e as nuk përcaktojmë se me çfarë procedure duhet të sigurohen, sepse është jashtë fushës dhe jashtë kompetencave tona”, ka deklaruar ai.

Tenderët emergjentë sipas ligjit procedohen vetëm në rast të ndonjë situate të paparashikueshme, duke ia pamundësuar institucionit furnizimin me kohë. Çmimet në këta tenderë janë më të larta se në tenderët e rregullt. Aktualisht Kosova ka sasi të mjaftueshme të testeve PCR.