Arbëri

“Bashkimi me Shqipërinë”, BE-ja kërkon promovim të vlerave evropiane në fushatë

Bashkimi Evropian ka kërkuar që parimet dhe vlerat që i promovon, t’i zbatojnë edhe liderët e Kosovës gjatë fushatës parazgjedhore.

Këtë qëndrim e kanë thënë pasi partitë politike e vunë në shërbim të fushatës kartën e bashkimit me Shqipërinë.

Këtë e paralajmëroi në nisje të saj pretendenti i AAK-së për president, Ramush Haradinaj.

“Nëse deri më 2024 nuk jemi në dyer të NATO-s nuk na mbetet tjetër veç me u bashku. Pra ky është një opsion real që mundet me ndodh”, kishte thënë ai.

Edhe kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, kritikoi ndërkombëtarët se mosanëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare nuk mund të shkojë deri në pafundësi.

Megjithëse kanë refuzuar t’i komentojnë deklaratat e politikanëve, zyrtarë të BE-së i kanë thënë “Kohës” se duhet nxitur fqinjësia e mirë dhe bashkëpunimi rajonal edhe gjatë fushatës.

“Roli i Bashkimit Evropian nuk është të komentojë secilën deklaratë që bëjnë politikanët ose zyrtarët individualë në rajon, veçanërisht gjatë fushatës parazgjedhore. Udhëheqësit politikë në rajon duhet të drejtohen nga shembulli i promovimit të një klime besimi të ndërsjellë, duke nxitur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, parime dhe vlera të cilat i përfaqëson BE-ja. Kjo vlen edhe në fushatat elektorale”, është shprehur Peter Stano, zëdhënës në BE.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se deklaratat me tone kërcënuese nuk janë serioze dhe kanë kosto, meqë mund të interpretohen si heqje dorë prej shtetësisë së Kosovës.

“Është një varfëri e mendimit sa i përket fushës së politikës të jashtme dhe pozicionit ndërkombëtar të Kosovës ku partitë politike gjatë fushatës e përmendin temën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, sidomos me tone kërcënuese siç i kemi parë deri tash. Brenda programeve politike të partive asnjëra prej tyre nuk e ka një platformë ose plan konkret për ta bërë këtë bashkim me Shqipërinë. Gjithashtu bashkimi me Kosovë nuk është i shprehur nga ana e shtetit të Shqipërisë”, ka deklaruar Butrint Berisha nga PIPS.

Në vend se të flasin për bashkimin me Shqipërinë, Berisha thotë se partitë do të duhej të tregonin qasjen e tyre në raport me temat që i presin, siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

“Kjo temë nuk është prekur dhe realisht nuk e dimë se cili është pozicioni e tyre, a janë për themelimin e një Asociacioni ashtu siç e kemi aktualisht apo me kompetenca ekzekutive siç parashihet në marrëveshjen e vitit 2015”, ka theksuar Berisha.

Për shkak të kohës së shkurtër, BE-ja nuk do të dërgojë mision për vëzhgimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, por vetëm një mision ekspertësh. Megjithëkëtë, Brukseli pret nga Kosova që t’i organizojë zgjedhjet në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Ne presim që institucionet e Kosovës të sigurojnë organizimin e zgjedhjeve të besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Duke pasur parasysh afatin e shkurtër nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për BE-në që të vendosë një Mision Për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) për zgjedhjet e parakohshme. Sidoqoftë, ne do të dërgojmë një mision ekspertësh zgjedhorë (EEM) për t’i mbështetur zgjedhjet e besueshme, gjithëpërfshirëse dhe transparente”.

Kosova deri më tani ka ngecur në përmbushjen e kritereve që dalin nga marrëdhënia e vetme kontraktuale me Bashkimin Evropian, MSA-ja. Kosova po ashtu mbetet vendi i vetëm në rajon pa liberalizim të vizave.