Arbëri

Hoxhaj: Jam kandidati më serioz, të tjerët që nuk kanë të drejtë të jenë në listë nuk mund të zgjidhen

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, ka thënë se kjo parti po rilind, ndërsa veten e quan kandidatin më serioz për ta udhëhequr ekzekutivin.

“Kur dikush mendon që PDK-ja po shuhet, ne bëjmë përpjekje qe të rilindë. Përkundër pandemisë kudo në fushatë po shoh një mbështetje për PDK-në e për rilindjen e partisë. Hashim Thaçi e Kadria nuk janë thjesht liderë të PDK-së e UÇK-së por kontributi i tyre është në themele të lirisë së Kosovës, kjo mbështetje po ndodh falë dy liderëve dhe si parti jemi të parët qe e kemi në program. Secili e di çka do bëjmë në ekonomi, shëndetësi e në arsim, politikë të brendshme e të jashtme. PDK-ja ka program të qartë dhe unë jam i vetmi kandidat serioz për të qenë kryeministër, e të tjerët që nuk kanë të drejtë me qenë as në listë nuk mund të jenë kryeministër të hënën e 15 shkurtit”, tha ai në tubimin në Pejë.

Zgjedhjet më 14 shkurt, thotë Hoxhaj, do të jenë tregues për demokracinë në vend, teksa ka përmendur Lëvizjen Vetëvendosje, për të cilën tha se nuk dihet programi me të cilin garon.

“Zgjedhjet janë historike që mbahen të dielën, a do të jemi vend demokratik apo një vend autoritar, demokracia është në pikëpyetje dhe tregu është në pikëpyetje. Mendimi ndryshe është në pikëpyetje. LVV-ja nuk ka program platformë, nuk e ka kryetarin e partisë për deputet, është totalisht e panjohur me çka garon në zgjedhje”, tha ai.

Ata që dikur thonin se janë koalicion i shpresës, sigurinë e shohin në PDK, ka shtuar Hoxhaj.

“Nuk mundet dikush që kur janë paraqitë 4 rastet e para me Covid, që është dorëzuar. Në pandemi ka hequr dorë për qeverisje, e tash prapë në pandemi kërkon votën. Nuk i ndjek interesat e qytetarëve. Shkarkimi i Agim Veliut ka qenë trik. Ata që kane votuar vërtet në vjeshtën e 2019 për ndryshim, tash këtë ndryshim po e shohin në PDK. Ata që kanë menduar që dikush do jetë forcë e shpresës, tash sigurinë po e shohin këtë në PDK”, tha ai.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Hajredin Kuqi, përmendi Thaçin e Veselin ndërsa u tha se Peja është me ta.

“Kosova ka qenë më e fortë kur kanë qenë këtu”, tha Kuqi.

Kandidati për deputet, Xhavit Haliti, u shpreh bindshëm në fitoren e PDK-së. Zgjedhjen e Hoxhajt si kryetar i partisë pas arrestimin të ish-kryetarit të saj, e quajti të qëlluar.

“Kosova do te jetë e udhëhequr nga PDK-ja. Të jesh deputet do të thotë të jesh misionar, deputetët janë për ta kontrolluar qeverinë e për të komunikuar me qytetarët. Përzgjedhja e Hoxhajt ka qenë e qëlluar në kushtet që kemi qenë duke kaluar fazën e krizës kur shkuan drejtuesit e PDK-së. Me shumë besim ja kemi besuar Hoxhajt detyrën e kryetarit të partisë e kryeministrit”, tha Haliti.