Arbëri

Mustafa vë në pikëpyetje qëndrimet e VV-së dhe “shallat e kuqe”

Foto: Koha / ilustrim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka vënë në pikëpyetje qëndrimet e partisë rivale, Vetëvendosje, dhe fushatën e saj për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në një shkrim në Facebook, Mustafa ka thënë se element themelor për të marrë vendim se për kë duhet të votohet është informata. Ka shtuar se nuk është i sigurt se “qytetari është i informuar se çfarë paraqesin shallat e kuqe të lidhura në drunjtë e Prishtinës, dhe jo vetëm aty, për të ardhmen e vendit”.

“Çfarë është simbolika dhe mesazhi i marsheve në sheshet e qytetit tonë? Çfarë është Republika e Tretë? Një shtet e bëmë me SHBA-të dhe me partnerët tanë evropian, të zotuar për demokracinë perëndimore. Ndërkaq, VV duhet ta qartësojë se kush janë partnerët e saj për Republikën e Tretë. Ndryshe, në qoftë se votohet vetëm me emocione, rrezikojmë të vejmë shallat e kuqe rreth qafe, të marrëshojmë si në Revolucionin Kulturor Kinez e të mbesim pa asnjë republikë!” ka shkruar më tej Mustafa duke iu referuar fushatës së VV-së dhe një shkrimi të zyrtarit të VV-së, Blerim Sallahu, që të martën u shpreh se “Alternativë tjetër s’ka: Pas zgjedhjeve, menjëherë duhet të fillojmë ta ndërtojmë Republikën e Tretë!”