Arbëri

Pretendohet se KQZ-ja pagoi materiale 130% mbi çmimin e tregut

Prishtinë, 7 shkurt - Një proces të dyshimtë prokurimi, i cili është kërkuar të anulohet, e ka zhvilluar Komisioni Qendror Zgjedhor për llogari të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Mbi 136 mijë euro është vlera e kontratës që KQZ-ja ia ka dhënë kompanisë “Eco Solution” me procedurë të negociuar për furnizim me dezinfektues, maska, dorëza e rroba për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sipas njoftimit mbi vendimin e Autoritetit Kontraktues, ky ka qenë tenderi me çmimin më të ulët si përgjigje ndaj njoftimit të kontratës për aktivitetin e prokurimit.

Firma tjetër e përzgjedhur për negocim ka qenë “Teknik” që ka ofertuar me 138 mijë euro.

Në dosjen e tenderit përshkruhet vetëm sasia e materialit të kontraktuar, por jo edhe çmimi që është paguar për copë. Janë kontraktuar mbi 280 maska të madhësisë mesatare për mbrojtje nga COVID-19; mbi 7 mijë e 547 “sanituez” dore pa alkool. Janë edhe 7 mijë e 660 dezinfektues. Dorëza plastike njëpërdorimëshe janë kontraktuar 280 copa, si dhe 300 palë rroba plastike njëpërdorimëshe.

Një kompani që ka deponuar ofertë në KQZ, por nuk është ftuar në negocim, pretendon se çmimet e kontraktuara janë astronomike krahasuar me vlerën e produkteve në treg.

Pas njoftimit për tenderin e suksesshëm, kompania “ECO Pastrimi” ka dërguar një letër në KQZ, ku pretendon se drejtori i Zyrës së Prokurimit, Nexhmi Haxhiu, ka shkelur ligjin. Nëpërmjet letrës, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA janë njoftuar edhe kryetarja dhe anëtarët e KQZ-së. Ndaj drejtorit të Zyrës është paralajmëruar edhe inicim i një kallëzimi penal për shkak të mosdërgesës së ftesës për negociata me rastin e pranimit të ofertës.

“Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, ju si institucion keni zhvilluar procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit me kontratë, mirëpo ju si Autoritet Kontraktues konkretisht ju shefi i prokurimit z. Nexhmi Haxhiu, keni shkelur ligjin e LPP-së pasi e keni obligim ligjor që me rastin e pranimit të ofertës nga një kompani, nëse zhvilloni procedurë të negociuar, e keni për detyrim ta ftoni edhe kompaninë që keni pranuar ofertë”, shkruan në letrën drejtuar KQZ-së. “Ju i nderuar e keni shkelur ligjin e LPP-së dhe keni bërë shumë shkelje me këto veprime tuaja. Po ashtu, veç po ju informoj se sipas paramasës dhe parallogarisë i keni përzgjedhur për negocim dy firma që janë bashkëpunëtore me njëra-tjetrën dhe që keni shpërblyer me kontratë një firmë që ka ofertuar me çmime astronomike mbi 130% mbi çmimin e tregut me shumicë”.

Ky operator ekonomik ka paralajmëruar të paraqesë ditët në vijim kallëzim penal ndaj shefit të prokurimit.

“Urgjentisht kërkoj anulimin e kësaj procedure të prokurimit, pasi që me këto veprime ju si autoritet kontraktues do ta kurseni buxhetin për 120% dhe po ashtu do t’i eliminoni shkeljet ligjore që i keni bërë”, përfundon letra e këtij operatori.

Berat Gashi, menaxher në “ECO Pastrim”, pretendon se KQZ-ja qëllimisht ka përzgjedhur për negocim dy firma që janë bashkëpunëtore më njëra-tjetrën. Sipas tij, materiali i kontraktuar nuk do të kushtonte më shumë se 55 mijë euro.

“Ata kanë negociuar vetëm me çmime astronomike, me dy firma që janë bashkëpunëtore. Kostoja e blerjes së atij materiali është maksimumi 55 mijë euro. Nuk i kemi dërguar çmimet, se në bazë të sasisë dërgohet çmimi, por nuk na kanë ftuar. Edhe pse nuk i kanë çmimet e specifikuara, me kosto të blerjes 55 mijë euro, ma shumë s’ka shanse me kushtu. Çmimi i një pakete maska (50 copa) është 1.75 euro me shumicë. E këta e kanë paguar dy apo trefish më shumë”, ka thënë ai.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim nga kompania fituese, por përfaqësues të saj nuk janë përgjigjur në numrin e vendosur në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve. Ndërkaq, zyrtarë të kompanisë së dytë me të cilën ka negociuar KQZ-ja, por nuk ka fituar, e kanë mohuar të ketë pasur parregullsi në këtë proces tenderimi.

“Ne punojmë shumë moti me KQZ-në dhe gjithçka ka shkuar në rregull”, ka thënë shkurt një zyrtare e kësaj kompanie.

E, drejtori i Prokurimit në KQZ nuk ka dashur të flasë. Madje, Haxhiun e ka bezdisur fakti se është i obliguar të japë sqarime, duke insistuar që të mos kontaktohet deri në përfundim të zgjedhjeve.

“Keni parasysh jemi në proces zgjedhor, mos na thirrni se jemi të zënë tepër. Mos më thirrni derisa të kryhen zgjedhjet, mos më thirrni hiç. Çka ki përmes e-prokurimit, aty gjithçka është transparente, asgjë nuk është e fshehur. Mos na pengoni se jemi duke punuar për proces zgjedhor”, ka thënë Haxhiu.

Neni 28 i Ligjit për Prokurim Publik përcakton kriteret që duhet ndjekur kur autoriteti kontraktues ndjek procedurat e negociuara.

“Gjatë negociatave, autoriteti kontraktues do të sigurojë se të gjithë tenderuesit trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë dhe se të gjithë tenderuesit kanë qasje të barabartë dhe me kohë në informatat e njëjta, me përjashtim të informatave që lidhen me ose që janë pjesë e ndonjë tenderi konkurrues”, thotë ky nen në pikën pesë.

“Me kusht që mundësia është përcaktuar në njoftimin për kontratë ose në dosjen e tenderit, autoriteti kontraktues mund të marrë masa që procedurat e negociuara të përdoren në faza të njëpasnjëshme me qëllim që të reduktohet me kohë numri i tenderëve të negociuar, duke aplikuar kriteret e dhënies që janë specifikuar në njoftimin e kontratës ose dosjen e tenderit”, thuhet në pikën gjashtë të këtij neni.

KQZ-ja nuk kanë dhënë sqarime as për tenderët e tjerë që ka raportuar KOHA. Hulumtimi ka dëshmuar se KQZ-ja ka realizuar pagesa të dyshimta që nuk kanë arritur të konfirmohen e as të dokumentohen. Sipas përllogaritjeve, nga tri aktivitete tenderimi për llogari të zgjedhjeve të kaluara, ky institucion ka humbur potencialisht rreth 90 mijë euro.