Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Hoti premton edhe projekte që tashmë janë pjesë e buxhetit

Në ditën e katërt të fushatës zgjedhore, kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka vizituar komunat e rajonit të Ferizajt. Në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj e Shtime, Hoti ka kërkuar besimin e qytetarëve duke premtuar investime në infrastrukturë dhe arsim, duke mos përjashtuar edhe projekte që tashmë janë të planifikuara

Han i Elezit & Kaçanik, 6 shkurt – Qytetarët e rajonit të Ferizajt e Kaçanikut kanë qenë fokusi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kandidati i kësaj partie për kryeministër, Avdullah Hoti, e nisi ditën me një tubim në Han të Elezit. Kësaj komune të vogël, Hoti, ndër të tjera, i premtoi mbështetje në arsim.

“Ne dojmë me marrë besimin e qytetarëve për një kontratë katërvjeçare për të përmirësuar cilësinë në arsim, për t’u siguruar që çdo fëmije i jepet mundësia për arsim parashkollor, për t’u siguruar se çdo nxënësi të shkollës së mesme profesionale i jepet mundësia për punë praktike me pagesë njëvjeçare”, deklaroi Hoti. 

Kurse premtimet e kundërkandidatëve për punonjësit e arsimit, ai i quajti mashtrime. “Këta që i mbledhin arsimtarët e u premtojnë rritje të pagave, i mashtrojnë. S’mund t’i rrisin pagat, vetëm nëse e lënë arsimin e shëndetësinë keq, mund ta bëjnë kështu, por kjo nuk është qeverisje”, u shpreh Hoti.

Edhe në këtë tubim, Hoti tha se LDK-ja i rregulloi marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe nënshkroi në Washington atë që ai e quan marrëveshje e cila, sipas tij, largoi ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

Kandidati për kryeministër më pas shkoi në Kaçanik, ku ndryshe nga Hani i Elezit këtu e pritnin më shumë njerëz sesa që lejohet në kushte pandemie. Qytetarëve të mbledhur iu kërkua mbështetja për Ardita Rrahmanin, kandidaten e vetme për deputete nga kjo komunë. E, vetë Rrahmani u zotua se nuk do të largohet nga vendi si të rinjtë e tjerë, por do të qëndrojë për të dhënë kontribut në zhvillimin e shtetit.

“Jam një e re që do të rri këtu e të punoj që ta bëj vendin më të mirë për vëllain e motrën, shokun e shoqen. Kërkoj që rrugën qe e kam nisur në këtë moshë të re të më bashkoheni të gjithë. Një ditë do të ulem në Kuvend, por shpresoj që ajo të jetë 14 shkurti”, u shpreh Rrahmani.

Si rrallëherë në këtë fushatë, pretendenti për postin e kryeministrit lexoi projekte konkrete. Por, ato që i përmendi Hoti janë planifikuar më herët, e tashmë veç janë pjesë e buxhetit.

“Unë kam përpara listën e projekteve konkrete që i kemi pjesë të buxhetit për sivjet dhe vitin e ardhshëm, të cilat do t’i financojmë, përfshirë: rrugën Viti – Kërmliq – Kaçanik, përfshirë rrugën që lidh pjesën jugore të Kaçanikut me rrugën nacionale N2, urën mbi lumin Lepenc në Kovaqevc, kanalizimin në Strazhë, Kaçanik, stadiumin e Kaçanikut, palestrën sportive, fushat ndihmëse aty”, tha Hoti.

Me kundërshtarët politikë Hoti u mor edhe në Kaçanik, posaçërisht me Lëvizjen Vetëvendosje. Anëtarët e kësaj partie i kritikoi për deklarimet e tyre të mëhershme rreth shtetit.

“I kemi përballë disa kundërshtarë që janë të majtë, që s’kanë besim as në Zot, as në shtet dhe në asgjë. Ata shërbehen veç me parulla dhe e kanë gjenezën në atë sistemin komunist për të cilin LDK-ja ka punuar shumë që ta përmbysë. Ata s’kanë asgjë për të premtuar, përveç konfrontimeve e sharjeve. Por çka është me rëndësi, pas disa vitesh po turpërohen nga fjalët e tyre dhe po vrapojnë dhe po i heqin nga ueb faqja. Ata po turpërohen nga të bëmat e tyre për 20 vjet dhe po provojnë me IT t'i fshijnë gjurmët e turpit”, u shpreh Hoti. Të shtunën, Hoti vizitoi edhe Ferizajn e Shtimen, ku as këtu nuk u respektuan masat anti-COVID.