Arbëri

Kronika Zgjedhore/ Limaj: Premtimet për ekonomi janë pallavra, Qeveria po krijohet për dialog

Nisma Socialdemokrate ka drejtuar akuza të fuqishme ndaj partive të tjera politike edhe në ditën e katërt të fushatës së saj elektorale. Kandidati për kryeministër i kësaj partie, Fatmir Limaj, ka thënë se të gjitha premtimet për ekonomi janë “pallavra”, pasi Qeveria e re do të ndërtohet vetëm për dialog

Gjilan, 6 shkurt - Nisma Socialdemokrate ka vazhduar ditën e katërt të fushatës zgjedhore në Gjilan me akuza ndaj partive të tjera dhe duke mos shpalosur programin e saj para simpatizantëve. Bartësi i listës së kësaj partie, Fatmir Limaj, është arsyetuar se nuk janë fokusuar në këtë gjë, por në fitimin e besimit të qytetarëve dhe në zotimet që realizohen. Ndërsa programet e partive të tjera ai i ka quajtur vetëm fjalë, duke thënë se Qeveria e ardhshme do të krijohet vetëm për dialog.

“Në këtë situatë që ndodhet vendi ynë është e lehtë me dalë para njerëzve e me dhënë premtime. Jemi këtu për të paralajmëruar, për të thënë atë që shohim, dhe atë që shohim është se Kosova është në udhëkryq të pasigurt e mos e lejoni atë në duar të pasigurta. Do e shihni në dy vitet e ardhshme. Tri qeveri janë gëzuar për dialogun. Krejt çka flasin për ekonomi janë pallavra, edhe Qeveria që do të krijohet për dialog si mundësi për t’i dhënë perspektivë vendit. Ftojmë që zëri i çlirimtarëve të jetë i fuqishëm në Parlament për të mbrojtur vendin”, ka deklaruar Limaj.

Ai u ka bërë thirrje votuesve që të gjykojnë drejtuesit në bazë të së kaluarës.

“Gjykonani neve që drejtojmë listën dhe jo kandidatët. Kush jemi ne? Duke na gjykuar ashpër ne jam i bindur se do nxjerrin një ekip të mirë në Kuvend. Gjykonani me të kaluarën tonë dhe kështu do bëni”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, as sot nuk kanë munguar akuzat ndaj kreut të PDK-së, Enver Hoxhaj, se në librin e tij “Ngritja e një shteti”, siç pretendon Nisma, ai ka mohuar gjenocidin e Serbisë ndaj Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, e ka ftuar atë që të sqarohet publikisht.

“Ka katër ditë që kjo informatë është në dispozicion të popullit dhe cili është reagimi i tij? Ai përveç që nuk pranon, por edhe tallet me këtë. Kosova nuk guxon, nuk e ka të drejtën t’i jep mbështetje një njeriu që e mohon gjenocidin. E ftoj nga këtu të dalë publikisht para popullit dhe të sqarohet nëse ka pasur apo nuk ka pasur gjenocid në Kosovë”, është shprehur Sherifi.

Ndërsa kandidati për deputet nga Vitia, Kastriot Sylejmani, megjithëse nuk ka shpalosur ndonjë pjesë të plan-programit, ka thënë se Nisma jep zotime që realizohen.

“Ne si subjekt kemi edhe program shumë të mirë. Madje programet tona dallohen shumë më shumë nga ato të partive të tjera. Ato zotime pjesa më e madhe janë zotuar dhe janë në zbatim të tilla. Nuk japim shumë premtime, por ato që i themi janë zotime dhe ato realizohen. Me këtë vullnet, me këtë mirësi dhe duke mos harruar kontributin e madh të Limajt, më 14 shkurt nderona neve dhe veten duke votuar numrin 121. Me votën e juaj do jemi një zë i fuqishëm në Kuvend për të mbrojtur vlerat kombëtare dhe themelet e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Hoxhajn nuk e kursyen as para bashkëvendësve të tij në Suharekë.

“Janë dy momente kritike kur i është dashur Kosovës dhe ai s’ka qenë këtu, e ka gjetur të gatshëm edhe lirinë, edhe partinë”, ka deklaruar Limaj

Si edhe në ditët e tjera, as gjatë kësaj fushate nuk u respektuan masat anti-COVID.