Arbëri

Fushatë me kritika për kundërshtarët, partitë s’i publikojnë programet

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Më shumë sesa në prezantimin e programeve të tyre qeverisëse, partitë politike janë të përqendruara në sulmet mbi kundër-kandidatët e tyre. Përveç mosprezantimit të detajuar të programit në tubimet me qytetarët, jo të gjitha partitë e kanë atë të shtypur e të publikuar. Një veprim i tillë, është duke u konsideruar joserioz nga shoqëria civile. Renditja e sqarimeve të partive politike, në këtë tekst është bërë në bazë të radhitjes së tyre nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Prishtinë, 6 shkurt – Ndonëse ka mbetur më pak se një javë deri në përfundim të fushatës zgjedhore, jo të gjitha partitë e kanë bërë publik programin e tyre qeverisës. Kërkimin e votës, duke shpalosur copëza të planeve të tyre, me synim të arritjes në pushtet, krerët e partive e kanë fokusuar në tubime me qytetarët, derisa shpeshherë edhe në kundërshtim me masat kundër koronavirusit.

Në aktivitetet e tyre gjatë fushatës, më shumë sesa në shpalosjen e programit, kandidatët për kreun e Qeverisë po merren me kritika ndaj kundër-kandidatëve të tyre.

Në faqen zyrtare, Nisma Socialdemokrate nuk e ka të publikuar programin për zgjedhjet e 14 shkurtit. KOHA ka provuar të marrë një përgjigje nga zyrtarë të Nismës lidhur me këtë temë, por ata nuk janë përgjigjur gjatë së shtunës. Uebfaqja e Nismës, është e mbushur me lajme nga tubimet e kryetarit të saj, Fatmir Limaj. Hapësira e dedikuar për programin, është e mbushur me programin politik, e jo me atë me të cilin i janë futur garës zgjedhore të 14 shkurtit.

Programin në ueb faqe nuk e ka të publikuar as Lëvizja Vetëvendosje. Në një përgjigje me shkrim nga kjo parti, nuk janë dhënë arsyet se pse një gjë e tillë nuk është bërë deri më tani, derisa kanë thënë se programi do të publikohet së shpejti.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Vetëvendosjes, ka thënë se me programin janë duke punuar tash e gjashtë muaj.

“Programi i Lëvizjes Vetëvendosje është një dokument në të cilin është punuar që nga gushti i vitit të shkuar, dhe rrjedhimisht është një dokument voluminoz. Ditë më parë, kryetari Kurti ka prezantuar vetëm pikat dhe prioritetet kryesore të programit, bashkë me zotimet e tij që mbështeten në program. Versioni i shkruar i tij, në formë të përmbledhjes, shumë shpejt do të publikohet edhe në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje duke u bërë kështu i qasshëm për të gjithë”, thuhet në përgjigjen e Kryeziut për KOHËN.

Me disa fjali të shkurta si “shërbime dhe sisteme cilësore shëndetësore”, “rishikim dhe rritje të pagës minimale dhe asistencës sociale”, Lidhja Demokratike e Kosovës ka të paraqitura prioritetet e saj. Por, pikat e prezantuara nuk janë të shtjelluara më tej. Pikat kryesore të programit, kjo parti është duke i shpërndarë në formë të broshurës, derisa zyrtarë të LDK-së, nuk kanë dhënë përgjigje gjatë së shtunës se kur do të jetë publik programi i shkruar e i plotë.

Në formë të shtypur dhe elektronike, programin e saj për zgjedhjet e parakohshme të shkurtit, e ka Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, për ta parë online programin e AAK-së, duhet të kërkosh direkt për të, pasi faqja e kësaj partie është jashtë funksionit.

Nga AAK-ja, nuk kanë dhënë shumë detaje, derisa janë shprehur të bindur se me format e zgjedhura të prezantimit të programit të tyre, do të arrijnë te secili qytetar.

“Programi ynë shpaloset nga kandidati për President, z. Ramush Haradinaj në çdo tubim zgjedhor, si dhe nga kandidatët për deputetë. Gjithashtu ai prezantohet në debate televizive, spote, portale e të tjera. Me të gjitha këto aktivitete, shtuar kësaj edhe shpërndarjen fizike të programit në formë të shtypur, besojmë se do të arrijë te secili qytetar”, thuhet në përgjigjen e Lulëzim Blakës, që është zëdhënës në AAK. Ai ka shtuar se “qytetarët duhet të jenë të njoftuar me ofertën e AAK-së, qoftë pjesën programore, qoftë edhe kualitetin e listës”.

E Partia Demokratike e Kosovës, në faqen e saj zyrtare ka të prezantuar në detaje vetëm një pjesë të programit.

Avni Bytyqi, zëdhënës në PDK, ka thënë se publikimi i programit të detajuar është çështje orësh, derisa kanë treguar edhe për format e tjera se si do të shpërndahet.

“Programi i Partisë Demokratike të Kosovës tani më është publikuar në vija të përgjithshme. Ndërsa programi i detajuar do të publikohet shumë shpejt brenda 24 orësh në faqen zyrtare të partisë pdk.info në formatin pdf. Programi do t’u dërgohet me e-mail të gjithë atyre qytetarëve të abonuar në platformën elektronike të PDK-së. Po ashtu programi do të shtypet në letër për shpërndarje në formate të ndryshme”, ka thënë Bytyqi.

Publikimin e plotë të programeve të partive në prag të zgjedhjeve, Arbëresha Loxha nga Grupi për Studime Politike e Juridike e sheh gjë elementare. Sipas saj, mospublikimi i tyre është i lidhur edhe me humbjen e besimit të qytetarëve ndaj programeve të prezantuara.

“Kjo është një qasje joserioze, sepse qytetari jo domosdoshmërisht ka mundësi që të dalë në fushatë e jo domosdoshmërish e ka të mundur të përcjellë shpalosjen e programit në debate televizive dhe është e drejtë e secilit qytetarë që të ketë qasje në programet e partive”, ka thënë Loxha. Subjektet politike sipas saj, duhet të kenë program të konstruktuar e i cili është i hartuar me ekspertë të fushës e pas diskutimeve me grupe të interesit.

“Secila parti duhet të paraqesë një program të qartë politik, i cili është i qasshëm për cilindo votues potencial, për cilindo qytetar të Kosovës. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani, shto këtu faktin, edhe të nisjes së bërjes fushatë nga partitë pa filluar ende zyrtarisht fushata”, ka thënë ajo.

Prezantimin e programeve të tyre për mënyrën e qeverisjes me vendin, partitë politike kanë kohë deri të premten në mesnatë, kur edhe fillon heshtja zgjedhore.