Arbëri

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja kërkon besimin e Prizrenit, Hoti i bindur në fitore

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, në ditën e tretë të fushatës i ka vizituar komunat e rajonit të Prizrenit. Banorëve të kësaj zone ai u ka premtuar projekte për ta fuqizuar ekonominë, për ta rritur mirëqenien e qytetarëve dhe për të avancuar marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë

Prizren e Dragash, 5 shkurt – Bekimin e Prizrenit më 14 shkurt e ka kërkuar Lidhja Demokratike e Kosovës. Në ditën e tretë të fushatës, prizrenasve të mbledhur në Shtëpinë e Kulturës së kësaj komune, kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, u ka thënë se komuna e tyre është degraduar prej kur nuk qeveriset nga LDK-ja. “Kryeqyteti historik është nëpërkëmbur. Prej se e ka lënë LDK-ja qeverisjen këtu, më shumë ke pasur prokurorë sesa vizitorë e mysafirë ndërkombëtarë. Disa e quanin Jerusalem vetëm për vota, këta të tjerët e kanë shfrytëzuar për çështje të tjera dhe do të japin përgjegjësi, sepse ligji është ligj, shteti është shtet dhe nuk fal”, ka deklaruar Hoti të premten.

Ai ka premtuar investime në infrastrukturë dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

“Ne kemi arritur një marrëveshje historike që pas shpalljes së pavarësisë është marrëveshja më e madhe që e ka nënshkruar Qeveria e Kosovës, e cila e ka sjellë një njohje tash së fundmi, që do të sjellë projekte njëmiliard-dollarëshe. Para së gjithash, projektin vizionar të hekurudhës për Durrës që do t’i lidhë shqiptarët mes vete. Imagjinojeni nëse treni merret në Prishtinë e ndalet në Prizren dhe përfundon në Durrës”, ka thënë Hoti, duke shtuar se po punojnë në rikonstruimin e Qendrës Historike të Prizrenit për nder të 150-vjetorit të Lidhjes Shqiptare.

Fjalimi i prezantueses në tubim i pëlqeu shumë kryetarit të Degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni. E, si shpërblim, i premtoi se pas katër vjetësh do ta kandidojë për deputete.

“Më kanë thënë që do të jetë një moderatore e mirë, por nuk e kam pasë idenë se kush është në pyetje. Faleminderit Albulenë, përgatitu që në zgjedhjet e ardhshme të jesh kandidate për deputete”, është shprehur i buzëqeshur Quni.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes ka shtuar se vizioni i ish-presidentit Ibrahim Rugova do të vazhdojë të jetë udhërrëfyes për LDK-në.

“Zgjedhjet e 14 shkurtit do të jenë moment ku do të konfirmohet vullneti për interesin shtetëror te Kosovës, që do t’i mundësojë Qeverisë Hoti 2 vazhdimin e projekteve për të fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës duke siguruar njohje të reja, fuqizimin ushtarak e mbi të gjitha atë ekonomik”, ka thënë Quni.

Para Prizrenit, Hoti ka shkuar në Dragash, por atje u mor më shumë me kandidatin e tij Albin Kurti.

“Njëri prej kandidatëve prej këtyre të kuqve kur e pyetën çfarë do të bësh nëse e merr qeverisje, tha punën e parë do t’i anuloj disa nga vendimet e kryeministrit Hoti. Ky është vizioni i qeverisjes së tij. Atij s’do t’i vijë më rendi të qeverisë. Njëherë ne ia kemi dhënë rendin, Lidhja Demokratike ia dha mundësinë dhe për 52 ditë dy herë e shkeli Kushtetutën”, është shprehur ai.

Ndërkohë, kryetari i Degës së LDK-së në Dragash, Selim Kryeziu, ka thënë se duke u bazuar në situatën në terren, “partia e tij sërish do të dalë e para në Dragash”.

“Mos u bazoni në sondazhe, përpiqen t’ua thartojnë trutë, për rezultatin në zgjedhje vendosim ne, jo ata në studio, pra mos u dekurajoni, dëgjoni sa më pak debate. Kosova nuk është miu i bardhë për eksperimentime. Mos e dorëzoni trurin tuaj”, ka thënë ai.

Hoti është ndalur edhe në fshatin Zhur, ku përveç vaksinave kundër koronavirusit, banorëve u ka folur edhe për mbështetje ekonomike.

“Kur e morëm në qershor detyrën, kishte pesë muaj që kishte filluar pandemia. Nga shkurti deri në qershor nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim për të menaxhuar pandeminë dhe për të ruajtur ekonominë, me përjashtim të ndalimit të qarkullimit. Kemi hartuar program konkret zhvillimor për Kosovën. Zhvillimin ekonomik nëpërmjet mbështetjes së sektorit privat që gjeneron punë e punësim”, ka deklaruar ai.

Në këto tubime, ku as të premten nuk u respektuan masat anti-COVID, Hoti ka përsëritur premtimet e dy ditëve të para të fushatës.