Arbëri

Ish-gazetarët tregojnë pse iu futën garës zgjedhore

Ish-gazetarët, Menduh Abazi dhe Kastriot Sylejmani në Interaktiv të KTV-së kanë dhenë arsyet përse kanë vendosur t’i bashkohen partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Abazi, që është zëdhënës i Telekomit, ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës. Sipas tij, “ka qenë koha për ndryshim në karrierë”. Ai ka thënë se synon që me përvojën në gazetari dhe ndërmarrje publike të kontribuojë për të mirën e shoqërisë.

“Ishin nja 20 vjet karrierë në gazetari dhe ndërmarrjet publike. Kam nis karrierën time në këtë shtëpi të madhe, fillimisht në gazetë e më pas edhe në televizion e erdhi një moment kur u desh të ndryshoj diçka në jetën time. Kam bërë 40 vjet dhe ka ardhur koha për ndryshim. Ishte një ftesë nga vetë kreu i partisë që t’i bashkohem listës dhe e miqve të mi që jetojnë në karrierë. Lista e PDK-së ka shumë prurje dhe me futjen time do të kontribuoj me gjithë karrierën time për të bërë diçka më mirë për shoqërinë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se është në pushim në punën në Telekom duke cekur se “nuk besoj që do të kthehem më pasi jam futur në politikë”.

Në anën tjetër, Sylejmani është pjesë e Nismës Socialdemokrate. Ai ka thënë se lidhshmëria mes gazetarisë dhe politikës është e madhe.

“Njerëzit që futen nga gazetaria mund të kontribuojnë shumë me përvojën e tyre, sidomos duke ditur se ka pasur kritika për mungesë të transparencës, dhe gazetarët mund, nëse jo ta zhdukin, të paktën ta zbusin këtë problem”, ka thënë ai.