Pacolli mohon se me AKR-në e tij po i afrohet PAN-it

Pacolli mohon se me AKR-në e tij po i afrohet PAN-it

16 qershor 2017 01:12

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka mohuar se është lëkundur në qëndrimet e tij kundër bashkimit eventual në qeverisje me PAN-in.

Përmes profilit të tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Pacolli ka thënë se bashkë me partnerët LDK, Alternativa e Lëvizja për Drejtësi janë të vendosur në rrugën që ka diktuar vota qytetare më 11 qershor, sipas tij, për ndryshim.

“Të nderuar miq, secili lajm që mund ta lexoni është thjesht spekulim. Qëndrimi i AKR është i qartë dhe nuk lëkundemi nga pozicioni ynë. Bashkë me partnerët e Koalicionit, LDK-në jemi të vendosur në rrugën tonë, konform vullnetit të qytetarëve të Kosovës për ndryshim”, ka shkruar Pacolii.

Burime të sigurta të portalit Koha.net, kanë cituar të nominuarin për kryeministër nga koalicioni fitues i zgjedhjeve, PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, të ketë thënë se ka marrë mbështetjen e AKR-së dhe të një personaliteti të LDK-së që pritet të jetë deputet, për të formuar Qeverinë.

Para se ta publikojë lajmin, portali, të enjten vonë ka kontaktuar me Korab Sejdiun e AKR-së, i cili ka thënë se strukturat e kësaj partie nuk kanë marrë kurrfarë vendimi.

“Strukturat e AKR-së nuk kanë marrë kurrfarë vendimi që t’i bashkohen askujt. Ne jemi në pritje të rezultatit për të parë se ku po pozicionohemi, por mund të them se e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se nuk do të shkojmë në koalicion me PAN-in”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë apo të demantojë ndonjë bisedë a takim eventual në mes të kreut të partisë së tij, Behgjet Pacolli dhe atij të AAK-së, Ramush Haradinaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Të ngjashme