Arbëri

Kronika Zgjedhore/ UÇK-ja, kryefjala e fushatës së PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës, në një tubim në Gjakovë ku secili folës rikujtoi dy liderët e kësaj partie që po gjykohen në Hagë, ka thënë se slogani Rimëkëmbje nuk ka të bëjë vetëm me ekonominë, por edhe rikthimin e rëndësisë së UÇK-së. U premtua edhe vaksinimi i popullatës nga COVID-19, ndërkohë që nuk u respektuan masat mbrojtëse ndaj virusit

Gjakovë, 4 shkurt - Gjakova ishte qyteti i parë të cilin Partia Demokratike e Kosovës e ka vizituar të enjten, në ditën e dytë të fushatës parazgjedhore. Përkrahës të kësaj partie kishin filluar të mblidheshin gjatë orëve të pasdites, në një hotel në qendër të këtij qyteti. Flamujt e PDK-së, e maskat me simbolin e partisë, si dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vëreheshin kudo në këtë tubim.

Por, qytetarëve u është dashur të presin rreth katërdhjetë minuta mbërritjen e krerëve të kësaj partie. Ndërkohë, të rinj të shumtë u shpërndanin kartëvizita me numrat e kandidatëve për deputetë qindra qytetarëve, të mbledhur në një hapësirë të mbyllur, pa i respektuar masat kundër COVID-19.

I pari në këtë tubim erdhi Xhavit Haliti, kandidat për deputet, i pritur me duartrokitje e brohoritje nga të pranishmit. Para se të mbërrinte në ulësen e tij, ai u përkujdes t’u fliste pothuajse të gjithëve që ishin ulur në rendin e parë. Vonesën e kandidatit për kryeministër të PDK-së, Enver Hoxhaj, Haliti e shfrytëzoi për t’u fotografuar me qytetarët. Gjatë tërë kohës, ai nuk e mbajti maskën dhe nuk përkujdesej ta mbante distancën.

Pa maskë të vënë dhe me vonesë atij dikur i është bashkuar Hoxhaj, i veshur në mënyrë sportive, me mbishkrimin “Liria ka emër”. Ai, gjatë fjalimit të tij në Gjakovë e ka shpjeguar domethënien e sloganit të PDK-së.

“Ne jemi një parti që do ta rimëkëmbë Kosovën. Prandaj, edhe rimëkëmbja për ne si parti në radhë të parë është rimëkëmbje kombëtare, politike, ekonomike, shëndetësore dhe ringritje e shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Hoxhaj është kujdesur që të bëjë fushatë edhe për zgjedhjet lokale, duke thënë se nëse PDK-ja do të qeveriste me Gjakovën, atëherë “gjërat do të ishin ndryshe”.

“Po të ishte PDK-ja në Gjakovë, Gjakova do të ishte krejt tjetër me gjendjen që është sot. Gjakova do të rikthehet fuqishëm me mua si kryeministër dhe me Hajdar Beqën si deputet dhe kryetar komune”, ka thënë Hoxhaj.

Para qytetarëve të Komunës së Gjakovës, ai e ka premtuar vaksinimin ndaj COVID-it të gjysmës së popullsisë.

Përkrahësit e kësaj partie, pothuajse gjatë tërë kohës e ndërprisnin fjalimin e Hoxhajt e të Hajdar Beqës, kandidatit për deputet nga kjo parti dhe kryetarit të degës në Gjakovë, me brohoritjet për UÇK-në.

Beqa, i përshkuar nga emocionet, në fjalimin e tij ka përmendur ish-kryetarët e kësaj partie, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

Duke prezantuar kandidatët për deputetë të kësaj partie nga Komuna e Gjakovës, ai ka thënë se “dy kryeministrat që shkuan nuk do të kthehen më dhe se atyre u deshën me muaj për t’i arritur negociatat e tyre”.

“Ne e kemi programin më të mirë, e kemi programin e rimëkëmbjes, krejt bota ka bërë program të rimëkëmbjes, por fatkeqësisht vetëm qeveritë që i patëm s’kanë ide. Ne i pamë më 6 tetor, erdhën me një mashtrim, duke thënë se janë qeveri e shpresës, atyre iu deshën 5 muaj ditë që të negocionin”, ka thënë ai.

Hoxhaj nga Gjakova e ka ftuar edhe një herë në debat kandidatin për kryeministër të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ka thënë se rival e sheh vetëm atë, por që do të fitojë.

Fushatën PDK-ja, të enjten, e ka vazhduar edhe në Komunën e Deçanit e të Rahovecit. Atje është premtuar rritje e pagave në të gjithë sektorët.