Arbëri

PDK-ja krahason Kurtin me Leninin

Partia Demokratike e Kosovës ka krahasuar fushatën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me ato të ish-liderit komunist rus, Lenin.

Në një postim në Facebook, zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, e ka cilësuar si kthim të komunizmit mënyrën e fushatës së VV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Albin Kurti po mundohet të imitojë marshin e Leninit nëpër komuna, me demek populli është mbrapa tij. Njëjtë veproi Lëvizja Vetëvendosje në hapjen e fushatës duke i vendosur mindilat kuq në stilin e Titos, një paralajmërim se socializmi/komunizmi është duke u kthyer. Siç duket në këto zgjedhje do të ketë një betejë zgjedhore në mes të Demokracisë (liberale) dhe Social Demokracisë (socializmit/komunizmit)”, ka shkruar ai. “Populli i Kosovës e ka pasur fatin (e keq) të jetoj në të dyja sistemet. Por vetëm njëri ofron progres e mirëqenie, e këtu qytetarët duhet të zgjedhin, a dëshirojnë REPUBLIKË apo një babë!”

Të hënën ka nisur fushata elektorale në vend. Asnjë nga partitë nuk po i respekton masat e distancës siç kërkohet për luftimin e koronavirusit. Shumica e tyre kanë mbajtur tubime në hapësira të mbyllura, ndërsa në disa raste Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar ecje nëpër qytete, duke bërë që të ketë turmë të madhe pas liderëve.