Arbëri

Rreth 30 mijë aplikacione refuzohen, s’respektohet afati për ushtrimin e ankesës

Problemet me vota e diasporës janë konfirmuar edhe në një raport preliminar të Sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).

Nga 131 mijë e 472 aplikacione të pranuara për regjistrim janë aprovuar 101 mijë e 839 aplikacione për regjistrim. Ndërkaq, janë refuzuar 29 mijë 633 aplikacione.

Por, në realizmin e këtij operacioni nuk janë respektuar afatet të cilat i ka vendosur vetë KQZ-ja.

Periudha e kundërshtimit nënkupton që ushtrimi i së drejtës ligjore për ankesë ka qenë prej 25 dhe 27 janar. Paraprakisht është dashur të publikohet lista, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Në sekretariatin e KQZ-së nuk kanë treguar se pse nuk është përfillur ky afat.

Sipas raportit të cilin e ka siguruar “KOHA”, në 29 mijë e 100 raste aplikuesit janë refuzuar për shkak se nuk e kanë dëshmuar identitetin ose kriteret e zotësisë juridike apo nuk kanë nënshkruar aplikacionin për regjistrim.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ-s, Alim Rama, e ka kritikuar Sekretariatin se për shkak të neglizhencës shumë qytetarëve po u mohohet e drejta e votës.

“Vetëm KQZ ta kishte zbatuar planin vjetor për 2020 për zhvillimin e aplikacionit online për aplikim dhe regjistrim për votues jashtë shtetit tash nuk do të kishim qenë në këtë gjendje me i shkelë afatet e përcaktuara nga vetë KQZ. Po ashtu, qytetarët që kanë aplikuar edhe i plotësojnë këto kushte do të kishin pranuar konfirmim dhe do të ishin bërë gati për me votu nesër. Për më shumë edhe KQZ kishte kursyer mbi gjysmë milion fleta A4 të shtypura dhe dhjetëra mijëra euro të taksapaguesve vetëm për shtypje të emailave dhe aplikacioneve”, ka thënë Rama.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është dashur që deri më 27 janar t’i përfundojë procedurat e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës.

“Koha” merr vesh se të martën do të bëhet certifikimi i Listës Përfundimtare për votuesit jashtë dhe brenda vendit.

Shtyrja eventuale e publikimit do të rrezikonte pranimin e zarfeve nga jashtë, që sipas aktgjykimit të Kushtetueses, votat e diasporës nuk mund të përfshihen në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve nëse mbërrijnë përtej afatit të përcaktuar.