Arbëri

Prindërit i bindin profesorët e Gjimnazit Matematikor të kthehen në punë

Prishtinë, 31 janar - Gati dy muaj pas bojkotimit të punës, 15 profesorët universitarë të angazhuar në Gjimnazin e Specializuar Matematikor kanë vendosur t’i rikthehen të hënën punës.

Që nga 7 dhjetori, ata nuk kanë shkuar në shkollë me pretendimin se Ministria e Arsimit u mbeti borxh disa paga dhe nuk u dha kontrata të reja.

Përfaqësuesi i profesorëve të UP-së në këtë gjimnaz, Elver Bajrami, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka bërë të ditur se pas shumë lutjeve të prindërve janë pajtuar ta vazhdojnë procesin mësimor.

MASH-i, sipas tij, ende ua ka dhënë paratë për muajt nga shtatori deri në dhjetor dhe nuk u ka ofruar kontrata të reja.

“Në mbledhjen e mbajtur të premten (29.01.2021) në departament, pas një vendimi të MASH-it për lejimin e pagesës (por jo kontratave që i kemi kërkuar), pas lutjeve nga prindërit, si dhe për hir që fëmijët të mos dëmtohen edhe më tutje, është vendosur që mësimi të vazhdojë nga dita e hënë, edhe pse nuk janë plotësuar të gjitha kërkesat e parashtruara”, thuhet në përgjigjen e tij.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, është zotuar se shumë shpejt do të zgjidhet problemi në këtë shkollë dhe nxënësit nuk do ta humbin vitin shkollor.

“Bojkotimi i mësimit në këtë situatë nga profesorët kur MASH-i është i gatshëm për të përmbushur obligimet e veta, është jo e ndershme dhe nuk nderon as ata e as Departamentin e Matematikës. Nxënësit nuk do ta humbin vitin, sepse ne do të bëjmë zgjidhje”, ka theksuar Likaj.

Ai ka thënë se po bëjnë përpjekje që për këtë gjimnaz të gjejnë një zgjidhje afatgjatë me staf të kualifikuar.

Ndërkohë drejtori i Gjimnazit, Shemsi Berisha, ka thënë se nga kjo mosmarrëveshje mes profesorëve dhe Ministrisë më së shumti pësuan nxënësit. Ka kërkuar që sa më parë të normalizohet procesi mësimor e të mos përsëriten problemet e njëjta.

“Ministria e ka zvarritur këtë çështje e nuk është dashur të zvarritet. Fatkeqësisht jemi në fushatë, por kjo nuk ka guxuar të na ndodhë as neve e as atyre, se pavarësisht se ministri është post politik dhe në krye të një institucioni, administrata duhet të funksionojë. Edhe shkollat duhet të funksionojnë, kështu që secili duhet t’i kryejë punët dhe obligimet e veta ndaj shkollës”, ka thënë Berisha.

Kryetari i prindërve të shkollës, Burim Raçi, ka thënë se janë të shqetësuar që nxënësit humbën kaq shumë orë, por presin që ky problem të mos vazhdojë më.

“Normalisht që të gjithë prindërit kanë qenë të shqetësuar, por mirë që u morën vesh dhe shpresoj që nga e hëna profesorët të kthehen në punë dhe të kthehet normaliteti”, është shprehur ai.

Sipas tij, një problem tjetër është se nxënësit mbetën të panotuar në gjysmëvjetorin e parë. Problem më i madh thotë se do të jetë me ata të klasave të 12-ta, të cilët e përfundojnë mësimin më 26 maj.

Gjimnazi i Specializuar Matematikor aktualisht ka 105 nxënës. Ky gjimnaz është themeluar në vitin 2014 nga Ministria e Arsimit, me një pjesë të mësimdhënësve të angazhuar nga Komuna e Prishtinës e pjesa tjetër nga Universiteti i Prishtinës.

Themelimit të shkollës i kishte paraprirë një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë, Universitetit të Prishtinës dhe Komunës së Prishtinës, ku të tri institucionet i kishin ndarë përgjegjësitë për funksionalizmin e kësaj shkolle.

Sipas memorandumit, detyrë e Ministrisë ka qenë inventarizimi i shkollës, ndarja e buxhetit për këtë institucion shkollor, sigurimi i konviktit për nxënësit që vijnë nga vende të ndryshme të Kosovës. Meqë Ministria nuk e kishte siguruar konviktin, fillimisht kishte nisur t’u jepte nxënësve shujta e më pas ua kishte zëvendësuar me 50 euro në muaj.

Përgjegjësi e Rektoratit ka qenë angazhimi i një pjese të stafit akademik si mësimdhënës në këtë shkollë, kurse Komuna e Prishtinës e ka pasur obligim të angazhojë një pjesë të stafit të shkollave të mesme, si dhe stafin e administratës, punëtorët teknikë e pastruesit.

KOHA ka raportuar në vazhdimësi për problemet me të cilat është ballafaquar kjo shkollë.