Arbëri

Mbi një muaj prej themelimit të fondacioneve për Thaçin e Veselin, s’dihet shuma e mbledhur

As edhe një informacion i vetëm nuk është dhënë, pas më shumë se një muaji prej themelimit të dy fondacioneve për ish-krerët të UÇK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Fondacioni për përkrahjen e mbrojtjes juridike të Thaçit, është formuar më 11 dhjetor të vitit të kaluar nga vëllai i tij, Gani Thaçi. Pak më shumë se një javë pas tij, edhe të afërm të Veselit ndërmorën të njëjtën iniciativë.

Por, me gjithë paralajmërimet, nuk dihet se çfarë ka ndodhur me funksionimin e tyre, e as shuma që është mbledhur.

Lidhur me këtë çështje, KOHA ka provuar të bjerë në kontakt vëllain e Thaçit, por ai ka qenë i paqasshëm që nga e premtja.

Ndonëse faqja në Facebook mban emrin e fondacionit, përmes së cilit janë kërkuar të holla për mbrojtjen juridike, përmbajtja e saj dominohet nga deklarata të bëra ndër vite nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Informata lidhur me ecurinë e donacioneve, nuk kanë dhënë as për fondacionin në përkrahje të ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

Hysni Veseli, iniciuesi i fondacionit për Veselin, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se janë në proces të konsolidimit të tij.

“Ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat për konsolidimin e strukturave të fondacionit. Pasi ta bëjmë një gjë të tillë, e që pritet të ndodhë shumë shpejt, do të jemi të gatshëm për informata shtesë. Na ka ndikuar shumë edhe puna e pandemisë, për shkak se nuk kemi arritur të takohemi. Unë nuk jam kompetent dhe nuk e di saktë se sa është shuma që është grumbulluar deri më tani”, ka thënë ai.

Për ta përkrahur mbrojtjen juridike të personave të akuzuar nga Specialja, Kosova ka vënë në dispozicion rreth 20 milionë euro.

Por, nga Ministria e Drejtësisë, nuk kanë treguar sa kërkesa kanë pranuar për një përkrahje të tillë, e as për shumën e tyre.

Sipas avokatit të akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini, shuma e kompensimit të mbrojtjes nuk është e specifikuar, pasi dallon nga tarifat që kanë shtetet nga vijnë avokatët.

“Në udhëzimin administrativ 7/2020 nuk është përcaktuar ndonjë shumë minimale apo maksimale aty vetëm thuhet se kompensohen veprimet procedurale të ndërmarra nga mbrojtja në bazë të tarifave që i përmenda”, është shprehur Qerkini.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli janë në mesin e shtatë pjesëtarëve të UÇK-së, ndaj të cilëve i janë konfirmuar aktakuzat nga Gjykata Speciale. Ata po mbahen në paraburgim në Hagë.