Arbëri

Varianti i ri i koronavirusit, Kosova ende pa masa të reja

Derisa shumë shtete nga muaji tjetër do të kenë në fuqi masa rigoroze, duke përfshirë edhe mbylljen e kufijve si shkak i variantit të ri të koronavirusit, institucionet vendore nuk kanë treguar nëse do të marrin ndonjë masë shtesë. Ekspertë të fushës paralajmërojnë se Kosova mund të hyjë në një periudhë kritike pasi varianti i ri përhapet më shpejt dhe është më i ashpër, por edhe për shkak të mosrespektimit të masave

Prishtinë, 30 janar – Përkundër rrezikut të lartë të përhapjes së variantin të ri të koronavirusit, institucionet në Kosovë nuk kanë paralajmëruar ndonjë masë shtesë për këtë. Një ditë më parë u bë e ditur se në Kosovë tashmë janë konfirmuar 3 raste me këtë variant. As Ministria e Shëndetësisë e as IKSHPK-ja nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS nëse do të ketë masa të reja, si shkak i parandalimit të përhapjes së variantit të ri të koronavirusit.

Infektologët në Klinikën Infektive nuk kanë dashur të flasin për trajtimin e pacientëve me këtë variant, duke thënë se nuk kanë ndonjë rast dhe nuk kanë eksperiencë në trajtimin e tyre.

Por ekspertët paralajmërojnë se Kosova mund të hyjë në një fazë të rrezikshme, shkaku i mosmarrjes së masave në kohën e duhur.

Kreshnik Hoxha, udhëheqës farmaceutik i Zhvillimit të Barnave në Londër, ka folur për rrezikshmërinë e këtij varianti.

“Ardhja e variantit britanik në Kosovë është brengosëse, sepse janë tri veçori të këtij varianti që e bëjnë më të rrezikshëm sesa varianti i kaluar. E para – ky variant shpërndahet 70 për qind më shpejt, e dyta – ka indikacione që ky variant po i prek më rëndë fëmijët dhe është më i ashpër ndaj popullatës, dhe e treta – deri në 30 për qind mund të jetë më e lartë vdekshmëria”, ka thëne Hoxha.

Tutje, Hoxha ka thënë se Kosova rrezikon të përballet me një numër më të lartë të të vdekurve gjatë muajve në vazhdim, shkaku i tubimeve të shumta si shkak i zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Duke marrë parasysh përvojën e asaj se çka ka ndodhur në Britani gjatë Krishtlindjeve, atëherë mund të shohim se Kosova po hyn në një fazë shumë të rrezikshme me ardhjen e këtij varianti të ri”, ka paralajmëruar doktori i shkencave farmaceutike.

Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Portugalia dhe Republika Çeke janë në mesin e shteteve që së fundmi kanë njoftuar për kufizime të reja të udhëtimit, pas paraqitjes së varianteve të reja të koronavirusit që fillimisht u identifikuan në Mbretërinë e Bashkuar, në Brazil dhe në Afrikë të Jugut.

Variant i ri i koronavirusit është zbuluar për herë të parë në shtator të 2020-s në Britani të Madhe. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër kanë qenë të këtij varianti.

Varianti i ri i koronavirusit thuhet se nuk shkakton simptoma më të rënduara, por përhapet më shpejt, që përbën një shqetësim të madh, edhe pse viruset ndryshojnë vazhdimisht.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka quajtur situatë alarmante këtë. Deri tani është thënë se të tria vaksinat kryesore kundër virusit që shkakton COVID-19, tani për tani zhvillojnë përgjigje imune kundër koronavirusit. Vaksinat e trajnojnë sistemin imunitar për të sulmuar disa pjesë të ndryshme të virusit. Edhe pse një pjesë ka krijuar mutacion, vaksinat funksionojnë.

Edhe të shtunën sheshet kryesore të Prishtinës kanë qenë plot. Jo pak kanë shëtitur pa respektuar masat kundër përhapjes së koronavirusit, e ka të tillë që s’i frikësohen variantit të ri, por ndajnë mendime të ndryshe nëse edhe Kosova do të duhej të merrte masa më rigoroze.

“Jo, nuk frikësohem. Masat i merr Ministria e Shëndetësisë, nëse ata mendojnë që është mirë me marrë masa, edhe unë pajtohem”, thotë njëri nga qytetarët.

Por një tjetër ka thënë se nuk frikësohet dhe nuk beson në Qeverinë në detyrë, dhe, sipas tij, kjo qeveri nuk do të duhej të merrte masa.

“Nuk frikësohem aspak, s’besoj që kjo qeveri mundet me bo diçka se është qeveri koti dhe jolegjitime” ka thënë ai.

Tri rastet e variantit britanik në Kosovë u konfirmuan dy javë pasi rreth 30 mostra pozitive me SARS-CoV-2 u dërguan në një laborator në Berlin, për shkak të mungesës së kapaciteteve për testim të tij.

Por as të shtunën institucionet e Kosovës nuk kanë treguar nëse pritet të dërgohen mostra të tjera për testim jashtë vendit, apo edhe kur do të funksionalizohen aparaturat që e mundësojnë një gjë të tillë.

Të premten, në konferencën për media, Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka thënë se kjo do të ndodhë në rast nevoje dhe se janë gjurmuar të gjitha kontaktet e rasteve.

“Duke qenë se tashmë janë kontaktuar rastet dhe po hulumtohen menjëherë kontaktet e tyre për identifikimin eventual të rasteve të reja. Mund të themi se të gjitha rastet tashmë janë të shëruara dhe nuk kanë asnjë problem me shëndetin e tyre”, është shprehur Ramadani.

E sipas ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, ata i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të ndalur përhapjen e këtij varianti.

“Ky variant është raportuar për herë të parë më 14 dhjetor të 2020-s në Mbretërinë e Bashkuar. Ne kemi marrë menjëherë masa, duke pezulluar fluturimet ajrore me këtë shtet, duke njoftuar përmes Ambasadës edhe shtetin mik, Anglinë. Pra, nga ajo ditë nuk ka pasur fare fluturime Prishtinë – Londër dhe anasjelltas” është shprehur Zemaj në konferencën e së premtes.

Pesë të vdekur e 285 raste të reja me SARS CoV-2

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, nga COVID-19, kanë vdekur edhe 5 persona të tjerë. “Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Istog 1 rast (77 vjeç), Malishevë 1 rast (72 vjeç), Prishtinë 1 rast (84 vjeç), Shtime 1 rast (82 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (84 vjeç)”, thuhet në raportin e IKSHPK-së.

Sipas këtij raporti, nga 1 mijë e 686 mostra të testuara gjatë 24 orëve, 285 raste të reja janë konfirmuar me COVID-19. Numri total i rasteve pozitive deri tani është 59.931 raste nga 231.094 persona të testuar me virusin SARS-CoV-2 dhe që nga marsi i 2020-s e deri tani janë regjistruar 1492 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 260 pacientë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tash është gjithsej 52.208 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6231.