Arbëri

Dyshime për keqpërdorime në tenderët e KQZ-së

Komisioni Qendror Zgjedhor potencialisht ka pasur humbje të parasë në vlerë prej mbi 80 mijë eurosh për shkak të shkeljeve në dy aktivitete të mëdha prokurimi - “Shtypja e materialeve zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës- Lot 1” dhe “Informimi publik për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2019”. Me arsyen se tani janë të zënë me zgjedhjet e 14 shkurtit, zyrtarë të KQZ-së kanë refuzuar të flasin për shkeljet që ka arritur t’i evidentojë KOHA, të cilat do të publikohen në një seri artikujsh

Prishtinë, 28 janar - Mbi 80 mijë euro është shuma që Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) potencialisht e ka humbur në dy aktivitete tenderimi, vlera e të cilëve është rreth 300 mijë euro. Këto aktivitete janë zhvilluar për llogari të zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019. Mbështetur në dosjet e tenderëve dhe në analizën e dokumentacionit, ka pasur devijim të konsiderueshëm të çmimeve të kontraktuara me çmimet e konkurrencës në tregun e lirë.

Për njërën prej kompanive, njësia e prokurimit të KQZ-së e ka shkelur edhe Ligjin për prokurimin publik duke ia përshtatur kriteret e përzgjedhjes kompanisë e cila ishte shpallur e papërgjegjshme në vlerësimin e parë. Shumë veprime të përbashkëta mes KQZ-së dhe kompanive të kontraktuara, përfshirë transaksionet, janë të padokumentuara dhe të pakonfirmuara. Gjatë hulumtimit, KOHA ka kuptuar se shkeljet që kanë shoqëruar aktivitetet e prokurimit janë konstatuar edhe nga Auditori i Brendshëm, por që nuk janë adresuar nga KQZ-ja.

Ndryshimi dhe përshtatja e kritereve

Në pjesën e parë të hulumtimit, KOHA sjell aktivitetin e prokurimit me titull: “Informimi publik për zgjedhjet e parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës 2019”.

KQZ-ja e kishte përzgjedhur fituese kompaninë e cila një herë ishte shpallur e papërgjegjshme. Mbështetur në dosjen e tenderit të datës 3 shtator 2019 dhe në dokumentet e tjera që ka siguruara KOHA janë hequr kriteret e përzgjedhjes dhe kërkesat minimale për kualifikim, me ç’rast është mundësuar që operatori ekonomik “Trigger”- LLC, i papërgjegjshëm në vlerësimin e parë, të shpallet fitues i kontratës në ritenderim. Në dosjen e tenderit ky operator ka prezantuar certifikatën për kryerjen e studimeve të menaxherit – L. K., kurse është kërkuar që menaxheri i projektit të ketë diplomë universitare dhe kjo të dëshmohet me diplomë origjinale apo kopje e noterizuar. Kësisoj, dokumenti i prezantuar nuk e ka përmbushur kërkesën. Kurse personat e prezantuar si stafi i kompanisë (G. B., F.H dhe E. B.) kanë prezantuar kopjet e diplomave. Ndërsa është kërkuar që përgatitja profesionale e stafit, së paku tre nga stafi të jenë me diplomë universitare, dhe kjo të dëshmohet me diplomë origjinale apo me kopje të noterizuar. Por, sipas dosjes, dokumentet janë prezantuar të panoterizuara. Komisioni kishte konstatuar se operatori ekonomik “Trigger”, por as dy kompanitë e tjera që kishin ofertuar nuk i përmbushnin kriteret e kërkuara në dosjen e tenderit. Rrjedhimisht ishte rekomanduar që ky aktivitet të anulohet. Më datën 11 shtator 2019 ishte lëshuar njoftimi për anulimin e aktivitetit për arsye se të gjitha ofertat e pranuara në sistemin E-prokurimi janë administrativisht të papërgjegjshme.

Aktiviteti i njëjtë ishte ritenderuar një ditë më vonë.

Heqja e kritereve të përzgjedhjes dhe kërkesave minimale për kualifikim, sipas pikave 8.1, 8.2 që flasin për kërkesat mbi gjendjen ekonomike dhe financiare, ka mundësuar që operatori ekonomik “Trigger”-LLC të shpallet fitues me procedurë të negociuar. Vlera e kontratës ishte 216 mijë e 706 euro.

“a. Deklaratat tatimore vjetore të dorëzuara në Administratën Tatimore të Kosovës (nga njoftim për kontratë) për periudhën e shkuar trevjeçare ose Pasqyrat financiare të kompanisë, të shoqëruara me qarkullimin financiar nga banka apo kopja e raporteve financiare të audituara e certifikuara nga një firmë e njohur e licencuar për kontrollin apo një auditor i licencuar”, është pika e hequr nga dosja e tenderit.

Nga dosja janë larguar edhe pika 9.1 e 9.2 të cilat i kishin shpallur të papërgjegjshme herën e parë kompanitë. Sipas të parës, “b) Menaxheri i projektit duhet të ketë diplomë universitare, c) Menaxheri i projektit të ketë minimum tri vite përvojë të natyrës së ngjashme, d) Përgatitja dhe përvoja profesionale e stafit (së paku tre nga stafi me diplomë universitare, c) Së paku dy vite përvojë të ngjashme secili prej stafit”.

Sipas Ligjit për prokurimin publik, “Largime dhe kufizime substanciale” janë ato të cilat, mes të tjerash, “shtrembërojnë konkurrencën e tenderuesve, ofertimet e të cilëve janë në pajtueshmëri me rregullat”.

Devijimi i çmimeve, një laps kimik u pagua 9 euro

Edhe çmimet të cilat janë pjesë e kontratës së informimit publik janë pakrahasimisht joekuivalente me çmimet në tregun e lirë. Ato ndërlidhen me Qendrën Mediale dhe me materialin promovues të KQZ-së. Tek Produksioni i TV Spoteve ka fituar kontrata me çmimin për copë prej 3 mijë e 500 eurosh, derisa oferta prej 200 eurosh është anuluar. Çmimi total për 20 njësi të kontraktuara është 70 mijë euro, derisa është anuluar oferta prej 4 mijë eurosh. Ndryshimi mes vlerës së anuluar dhe çmimit të kontraktuar është 66 mijë. Tek Produksioni i Radio Spoteve, çmimi për njësi prej 40 eurosh është anuluar, kurse kompania që ka fituar tenderin e ka ofruar në shumën prej 710 eurosh. Diferenca mes kontratës së anuluar dhe asaj që ka fituar është 13 mijë e 400 euro më shumë.

Çmime joekuivalente me ato të tregut janë dhënë edhe për fletoret me logo të KQZ-së, lapsa e të tjera. Për një laps kimik metali KQZ-ja ka paguar 9.30 euro. Totali i shumës për 500 lapsa të kontraktuar është 4 mijë e 650 euro. Kurse për 500 fletore me logo të institucionit, KQZ-ja ka shpenzuar 5 mijë euro, derisa çmimi për njësi është 10 euro.

Nëse merren referencë zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, çmimet e të cilave i ka krahasuar KOHA, për shërbimet e njëjta në vitin 2019 janë paguar çmime shumëfish më të mëdha. Për 26 spote televizive, përfshirë të gjitha aktivitetet e produksionit, KQZ-ja kishte paguar vetëm 45 mijë e 500 euro, që i bie 25 mijë euro më pak se në vitin 2019. Çmimi për njësi ka qenë 1 mijë e 750 euro në vitin 2017, kurse në 2019-n, 3 mijë e 500 euro. Çmime më të lira në vitin 2017 janë paguar edhe në Produksion të Radio Spoteve.

Derisa në vitin 2017 kishte fituar kompania me ofertën prej 350 eurosh për 26 Radio Produksione, në vitin 2019 KQZ-ja e shpalli fituese kompaninë që ofertoi me 710 euro për një Radio Produksion.

KOHA ka kontaktuar kompaninë “Trigger”, në numrin e postuar në faqen zyrtare. Por kanë refuzuar të flasin rreth zhvillimeve për këtë tender, duke thënë shkurt se gjithçka ka qenë në rregull.

Me arsyen se janë të zënë me përgatitjet rreth zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka refuzuar të flasë edhe drejtori i prokurimit në Sekretariatin e KQZ-së, Nexhmi Haxhiu.

“Kërkoj falje se jam tepër nxan, tash janë zgjedhjet, as sytë s’po mujm me i çelë. Kurrfarë mundësie nuk kemi me dhanë përgjigje. Çfarëdo që keni hyni në E-prokurim. I kemi aty të gjitha”, ka thënë ai. Kur i është përmendur përshtatja e kritereve për një kompani të caktuar dhe pagesat përtej çmimeve të tregut, Haxhiu ka kërkuar t’i drejtohemi me shkrim KQZ-së.

“Si zyrtar i prokurimit nuk jap asnjë informatë pa më dhanë leje kryeshefi ekzekutiv. Tash për tash nuk mundemi se jemi në zgjedhje të parakohshme”, ka shtuar Haxhiu. KOHA ka adresuar pyetje prej së mërkurës tek kryetarja Valdete Daka, kryeshefi ekzekutivi, Burim Ahmetaj, dhe zëdhënësi Valmir Elezi, por ka munguar përgjigjja.

Në vazhdimin e dytë, i cili publikohet të shtunën, KOHA sjell hulumtimin për aktivitetin e prokurimit- “Shtypja e materialeve zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2019- Lot 1”. Cilat aktivitete nuk janë realizuar edhe pse shërbimet janë kontraktuar dhe paguar nga KQZ-ja? Sa është e madhe diskrepanca mes çmimeve të tregut dhe atyre që i ka kontraktuar KQZ-ja në vitin 2019?