Arbëri

“Ekziston mundësia e pezullimit të zgjedhjeve”

Descriptive Text

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se ekziston mundësia që të ketë pezullim të procesit zgjedhor nëse palët e pakënaqura ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për të mos ua lejuar kandidimin për deputetë të dënuarve për vepra penale në tri vitet e fundit ankohen në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo vendos masën e parakohshme.

Megjithatë, sipas tij, kjo më shumë ekziston vetëm në teori sepse praktikisht nuk pritet të ndodhë.

Të premten, Gjykata Supreme, si shkalla e fundit e vendimit në procesin zgjedhor për certifikim të kandidatëve, vendosi sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që të dënuarve për vepër penale në tri vitet e fundit, të mos u lejohet kandidimi për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit. Sipas Zekajt, ky vendim ishte i pritshëm.

Image

Ai ka thënë se me këtë aktgjykim Kushtetuesja ka ndryshuar praktikën e deritashme dhe se vendimi është parë në dy qasje.

“Në prizmin e ngritjes së integritetit për arsye se më s’do të kemi persona të dënuar me vepra penale, por edhe një pasiguri qytetare për qytetarët sepse më s’përcaktohet as lloji i veprës penale me të cilën penalizohet e as lartësia”, ka thënë ai në Express Intervistën në KTV.

Zekaj ka thënë se palët që s’janë pajtuar me vendimin e Supremes mund të ankohen në Kushtetuese, duke iu referuar nenit që garanton për të drejtën për të zgjedhë e për t’u zgjedhur.

“Kushtetuesja teorikisht ka të drejtë që kur shtrohet një ankesë, mund të vendosë masë të përkohshme e që pezullon një proces ndaj të cilit është ankuar ky person. Në këtë rast është pezullim i procesit zgjedhor. Duke ia ndaluar KQZ-së të vazhdojë me procesin zgjedhor deri sa Gjykata të vendosë për rastin.Por sa kjo ndodh në realitet, kemi pak shpresa sepse kemi aktgjykim që s’i ka as dy muaj që është nxjerrë. Teorikisht është e mundshme, por praktikisht është e mundshme që Kushtetuesja të vendosë për të drejtën e tyre edhe pas 3-4 muaj që edhe nëse fitojnë të drejtën ajo s’do t’u hyjë në punë sepse zgjedhjet përfundojnë, veçse do të jetë praktikë për zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar ai.

Ankesë ndaj vendimit të Supremes të premten paralajmëroi kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që po ashtu hyn në listën e të ndaluarve.