Arbëri

Diplomati i rangut të mesëm bëhet shef ambasadorësh

Prishtinë, 24 janar – Është diplomat i rangut të mesëm, por brenda pak muajsh Visar Fetaj ka mbërritur të bëhet shef ambasadorësh. Pas kthimit në shtator nga misioni në Çeki, Fetaj është bërë drejtor i Departamentit për BE-në dhe Evropën, ndërsa nga e marta ministrja Meliza Haradinaj ia ka besuar ushtrimin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në kabinetin e ministres Haradinaj e kanë arsyetuar vendimmarrjen, duke thënë se detyrën e drejtorit të përgjithshëm Fetaj do ta ushtrojë përkohshëm.

“Në janar 2021, me vendim të ministres Haradinaj-Stublla, z. Fetaj është caktuar të shërbejë si zëvendësues i drejtorit të përgjithshëm. Detyrë kjo që është e përkohshme, deri në zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm me vendim të përhershëm. Në përputhje me Ligjin për Administratën Shtetërore, zëvendësuesin e përkohshëm të drejtorit të përgjithshëm e cakton ministri me vendim të veçantë, deri në zgjedhjen e të njëjtit në procedura të parapara ligjore”, thotë Bul Salihu, këshilltar i ministres Haradinaj. “Si rrjedhojë, z. Fetaj ushtron këtë pozitë përkohësisht në cilësinë e ushtruesit të detyrës”.

Haradinaj e largoi vitin e shkuar ambasadorin Albert Prenkaj nga pozita e drejtorit të përgjithshëm. Më pas, ai u transferua në një pozitë tjetër dhe iu ndalua gradimi deri në pesë vjet.

Prenkaj i ka kualifikuar vendimet si të paligjshme, arbitrare, autoritare, e të diktuara politikisht dhe pret që të rivendoset në zyrë, pasi për rastin të vendosë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

“Pas procedurave të paligjshme që janë ndërmarrë, pa prezencën time dhe në kohën kur kam qenë i infektuar nga COVID-19, kam atakuar vendimet e paligjshme të u.d. së sekretarit të përgjithshëm të paligjshëm dhe vendimin e njëfarë Komisioni Disiplinor, të instaluar me vendim të paligjshëm të po të njëjtit u.d. të sekretarit, të manipuluar nga kabineti në largim i znj. Haradinaj-Stublla, kam dërguar ankesë në KPMSHCK”, thotë Prenkaj. “Tash po pres vendim të merituar nga ky institucion, i cili herën e parë i ka hedhur poshtë vendimet e ministres dhe të u.d. së sekretarit të përgjithshëm, vendim të cilin nuk e ka respektuar u.d. së sekretarit të përgjithshëm Morina”.

Pozita e drejtorit të përgjithshëm është me peshë në Ministrinë e Jashtme dhe përbën urën lidhëse mes ambasadave dhe misioneve të tjera, me Ministrinë dhe ministrin. Drejtori ka rol me rëndësi edhe në transferimin, lëvizjen paralele dhe ngritjen në detyrë të nëpunësve të Shërbimit të Jashtëm.

Këtë pozitë deri tash e kishin ushtruar zyrtarët me gradë të lartë diplomatike.

Visar Fetaj ka gradën këshilltar, tri më poshtë sesa ajo e ambasadorit. Ambasador nuk ishte as pararendësi i tij, Delfin Pllana, i cili si ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm, në konflikt interesi u propozua për avancim në gradë, e mandej edhe për ambasador.

Pozita e drejtorit të përgjithshëm është duke u mbajtur me zëvendësues, ndonëse vendimi i ministres Haradinaj për largimin e Prenkajt, si dhe vendimi i ushtruesit të detyrës së sekretarit, Lulzim Morina, për transferimin e mëpastajmë të tij në një pozitë të ulët, ishin shpallur të pavlefshëm nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës.

Në vendimin e Komisionit Disiplinor, që kryesohej nga Korab Mushkolaj, e që për anëtarë kishte edhe Lendita Gashin dhe Arben Muhametin, janë përligjur arsyet mbi të cilat ministrja Haradinaj kishte marrë masa kundër Prenkajt. Por, ky i fundit sërish është ankuar në institucione dhe pret që sërish vendimet ndëshkuese kundër tij të anulohen.