Arbëri

Partitë ende s’janë ankuar për procesin e certifikimit

Descriptive Text

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka thënë se deri në paraditen e së shtunës nuk ka pranuar asnjë ankesë të partive politike rreth procesit të certifikimit.

Të premten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk certifikoi listat zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me këtë të fundit që s’e certifikoi as si parti politike. Arsye ishte moszëvendësimi i kandidatëve për deputetë që kanë problemem e ligjin.

Partitë që nuk janë të kënaqura me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë kohë 24 orë për ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

“Ende nuk ka asnjë ankesë në PZAP, lidhur me moscertifikimin e disa subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre nga ana e KQZ-së”, ka thënë kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku për KOHËN të shtunën.

Ndërsa Valmir Elezi nga KQZ-ja ka thënë për KP-në se tashmë KQZ-ja ka njoftuar se të gjitha subjektet, e certifikuara, por edhe ato që u refuzuan, tashmë janë njohur me vendimin.

PZAP-ja në rast se merr ankesa ka afat tri ditë për t’u marrë me çështjen. Nëse më pas kandidati s’është i kënaqur, ka prapë një ditë afat për ankesë në Gjykatën Supreme dhe Supremja ka tre ditë kohë për të dhënë vendimin. Më 31 janar do të dihet i gjithë epilogu.