Arbëri

Elektoral e diskriminues po quhet zotimi i Qeverisë për arsimtarët

Pakënaqësi të shumta ka nxitur marrëveshja e arritur të mërkurën mes Qeverisë dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës (SBASHK) për t’iu ndarë shtesa punëtorëve të këtij sektori. Marrëveshja u arrit në prag të zgjedhjeve të parakohshme pas kërcënimit të Sindikatës së Arsimit për grevë të përgjithshme.

Mjete shtesë pritet të përfitojnë mbi 28 punëtorë të arsimit, por shuma e saktë nuk është vendosur ende. Nëse aprovohet kërkesa e SBASHK-ut që secili punëtor i arsimit përveç pagës të marrë 100 euro shtesë gjatë pandemisë, i bie që Qeveria do të paguajë afro 3 milionë euro në muaj vetëm për shtesa.

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka, ka thënë se u diskriminuan nga Qeveria teksa është ankuar se kryeministri nuk po u përgjigjet ftesave të tyre për takim. Ka paralajmëruar protestë nga java e ardhshme.

“Ne do të presim, deri të hënën e kanë afatin të na kontaktojnë dhe nëse nuk përgjigjen pozitivisht në kërkesat tona legjitime atëherë zjarrfikësit do ta mbajnë mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm dhe do të marrim vendim për protestë. Ky do të jetë vendim i të gjithëve dhe e kam konfirmimin që të gjithë janë për protestë, nuk tolerohet kjo padrejtësi, ky diskriminim”, ka theksuar Beka.

I pakënaqur është shprehur edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, duke e quajtur marrëveshjen e djeshme si politike dhe për përfitim votash.

“Këto diskriminime në raport me sektorin privat kanë ndodhur vetëm në periudhën ‘90-’99, kur këtë diskriminim e ka bërë regjimi i atëhershëm, andaj a ka më rëndë dhe a ka më keq kur një punëtor teknik që është 24 orë në dhomën me pacientin me COVID nuk financohet me paga minimale, kurse i jepet pagë shtesë një punëtori që rrezikshmërinë nuk e ka në atë nivel. Këtë unë nuk mundem me kuptu”, është shprehur Azemi.

LEXO EDHE: Personave me gjoba trafiku nuk u lejohet kandidimi për deputetë

Të turpshme e vetëm për vota e ka quajtur marrëveshjen Qeveri-SBASHK edhe kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.

“Të mos paguhen mjekët në specializim e të paguhen punëtorët e arsimit është e turpshme dhe jonjerëzore. Sipas kësaj logjike, pasi është paguar edhe arsimi, atëherë duhet të paguhen të gjithë qytetarët e Kosovës. Pra, për një grusht votash shkelin parime. Ky është çmimi i mosimplementimit të Ligjit të pagave që u jep mundësi secilit të keqpërdorë situatën”, thuhet në përgjigjen e Sylës.

Zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se gjatë javës do të qartësohen detajet për kompensimin e punëtorëve të arsimit.

Ndërkaq, për reagimet e sindikatave të tjera ka shtuar se janë njoftuar vetëm nga mediat, por nuk kanë pranuar ankesa.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka dy javë që po kërcënon Qeverinë me grevë nëse punëtorëve të arsimit nuk u jepen nga 100 euro shtesë në muaj, me arsyetimin se edhe punëtorët e arsimit janë të rrezikuar nga pandemia. Po ashtu, kjo sindikatë po kërkon nënshkrimin e kontratës kolektive.