Arbëri

Hoxhaj: Janë dy modele në zgjedhje – PDK-ja për rimëkëmbje dhe VV-ja për demagogji

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka thënë se në garën zgjedhore të 14 shkurtit janë dy modele, një “e Rimëkëmbjes e PDK-së dhe një tjetër e demagogjisë dhe populizmit e Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Modeli i parë është modeli i jonë që parasheh lehtësira fiskale për bizneset dhe kemi politikë të qarte fiskale se çka do të bëjmë për bizneset. Modeli jonë parasheh mbështetje institucionale për bizneset dhe jemi të interesuar që ta bëjmë një gjë të tillë dhe parasheh mbështetje të mirëfilltë në formë të granteve, ne mendojmë që duhet të ketë një fond rreth 500 milionë euro që në formë të granteve do t'iu ndahet të gjithë atyre bizneseve të cilët janë goditur për shkak të pandemisë“, ka thënë ai në një takim me bizneset në Prizren teksa ka shtuar se “modeli i VV-së, është model i retorikës, demagogjisë dhe populizmit, që parasheh rritje të taksave”.

Hoxhaj ka thënë se ndihma për sektorin privat është prioritet i planit të rimëkëmbjes të PDK-së. Sipas tij, Prizreni është kryeqyteti ekonomik i Kosovës.

Ndërkaq nënkryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se prioritet është ndihma për bizneset e dëmtuara nga pandemia.

Hoxhaj disa herë ka përmendur Albin Kurtin e Vetëvendosjes si rivalin e tij të vetëm në zgjedhjet e shkurtit. Ai ka ftuar në debate publike kandidatin e VV-së për kryeministër, por Kurti refuzoi duke thënë se “Hoxhaj mund të garojë vetëm për vendin e dytë me Avdullah Hotin e LDK-së, sepse i pari tashmë dihet”.