Arbëri

VV-ja pretendon se u ndryshua kërkesa drejtuar KGJK-së për verifikimin e kandidatëve, KQZ-ja e mohon

Lëvizja Vetëvendosje pretendon se përmbajtja e kërkesës së Komisionit Qendror Zgjedhor dërguar Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për Verifikimin e kandidatëve për deputetë, ka pësuar ndryshime nga versioni fillestar. Përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Alim Rama ka ngritur dyshime se ka pasur intervenim prej dikujt me influencë.

“Sipas informacioneve që kemi, jemi në dijeni për dy drafte. Midis draftit të parë dhe këtij të dytit, ka dallime shumë të rëndësishme, prej nga duket se ka pasur një intervenim prej dikujt me influencë të madhe në KQZ, me tendencë të lexueshme politike”, ka thënë anëtari i VV-së në KQZ, Alim Rama.

Drafti të cilit i referohet ua ndalon garën vetëm atyre që kjo e drejtë u është hequr me vendim gjykate dhe atyre që janë dënuar me burgim në tri vitet e fundit. Por jo edhe atyre që kanë dënime alternative, siç është rasti me bartësin e Listës së VV-s, Albin Kurti.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO95/20 ka sqaruar situatën e humbjes së mandatit të deputetit të dënuar, ndërsa në paragrafin 297, shpjegon ndërlidhjen e nenit 29 të LPZ me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke theksuar ‘... fakti që neni 70.3 (6) i Kushtetutës, neni 8.1.6 i Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe neni 112.1 (a) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme i referohen dënimit të deputetit (pra dënimit pasi ai ta ketë fituar mandatin), është reflektim i prezumimit se neni 29.1 (q) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili mbështetet në nenin 71.1 të Kushtetutës, nuk lejon që një person i dënuar me burgim gjatë tri viteve të fundit para zgjedhjeve të kandidojë për deputet dhe të fitoj mandatin e deputetit”, thuhet në këtë draft, vërtetësinë e të cilit e ka mohuar KQZ-ja.

Aty përmendet edhe Neni 73, paragrafi 2 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës që përcakton se “nuk mund të kandidohen për deputetë personat e privuar nga zotësia juridike për të vepruar, me vendim përfundimtar të gjykatës”.

“Ndërsa germat ‘o’, ‘p’ dhe ‘q’ të nenit 29 të LPZ-së theksojnë që KQZ duhet të sigurohet që kandidatët për certifikim: o) nuk janë subjekt i vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP për t’u hequr e drejta për të qenë kandidat; p) nuk janë subjekt i vendimit të gjykatës, me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) nuk është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit (në rastin tonë nga 07 janari 2018)”, shkruan më tej aty.

Një burim brenda KQZ-së ka thënë se, nuk është vetëm ky draft, por kanë qenë edhe disa të tjerë që janë diskutuar deri në miratimin e atij përfundimtar.

Por zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka theksuar se këto nuk janë shkresa të Zyrës Ligjore.

“Këto nuk janë shkresa të Zyrës Ligjore të KQZ-së dhe as të Zyrës për Regjistrim të Partive Politike. Zyra është autonome dhe shkresat i përgatit vet”, ka thënë ai. Sipas Elezit, i vërtetë është vetëm versioni final i dërguar në KGJK.

E, versioni i cili është dërguar në KGJK nuk e bën kategorizimin e dënimeve.

Aty përmendet neni 73 i Kushtetutës që mes tjerash përcakton se kandidatët për certifikim:

“p) nuk janë subjekt i vendimit të gjykatës, me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; dhe q) nuk janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës, në tri vitet e fundit”.

“Rrjedhimisht, në frymën e obligimeve kushtetuese dhe ligjore për bashkëpunim ndër institucional dhe Memorandumit të Bashkëpunimi KQZ-PK-PSH-PZAP-KGJK kërkojmë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se më 20 janar 2021 në ora 12:00 të na i dërgoni emrat e individëve nga Lista e Kandidatëve të bashkëngjitur si Shtojcë e kësaj kërkese nëse: Janë gjykatës; Janë subjekt i vendimit të gjykatës, me të cilin i është hequr e drejta për të qenë kandidat; Janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri (3) vitet e fundit (nga data 07 janari 2018 deri më sot)”, thuhet në shkresën e Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike.

Të martën KGJK-ja njoftoi se 47 kandidatëve nuk duhet lejuar kandidadimi. Megjithëse nuk janë bërë publik emrat, “KOHA” ka raportuar se në mesin e tyre është edhe bartësi i Listës së VV-së, Albin Kurti.

Në VV nuk kanë treguar për veprimet që do t’i ndërmarrin pas ndalesës së Kurtit për të kandiduar.

Image
Drafti që po mohohet nga KQZ-ja

Image

Image
Versioni final i dërguar në KGJK