Arbëri

“Krejt dhe drejt”, slogani i VV-së për zgjedhjet

Lëvizja Vetëvendosje ka zbuluar sloganin me të cilin i futet garës në zgjedhjet e 14 shkurtit. “Krejt dhe drejt” është slogani i kësaj partie, siç kanë zbuluar krerët e kësaj liste, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.

“Referendumi që do ta kthejë Kosovën kah e mbara, nuk mund të ndalet!” ka thënë Kurti, që është kandidat për kryeministër.

Në anën tjetër, më e gjatë në përshkrim ka qenë Osmani, që është kandidate për presidente.

“KREJT DHE DREJT. Krejt, sepse fryma mobilizuese është me shumicën, sepse ata e bëjnë dallimin! Krejt, sepse vetëm shumica mund t’i bëjë ndryshimet. Krejt, sepse sa herë që jemi bërë bashkë, kemi dalë fitues. Drejt, sepse vetëm në këtë mënyrë e krijojmë diferencën. Drejt, sepse vetëm me drejtësi garantohet përfaqësimi i barabartë qytetar. Drejt, sepse i drejti gjithmonë del fitues”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kandidimi i Kurtit për deputet është vënë në pikëpyetje për shkak se ai është në mesin e 47 kandidatëve për deputetë, të cilëve u pamundësohet pjesëmarrja në zgjedhje për shkak se janë shpallur fajtorë për vepër penale me vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vjetët e fundit.